Boksieri lezhjan Jurgen Uldedaj ka qenë i ftuar në emisionin “Sports Show” në “Klan Kosova”. 21-vjeçari foli për fitimin e titullit “WBO Youth” dhe për të ardhmen e karrierës në boks.
Dueli për titullin “WBO YOUTH“ – “Kundërshtari ishte shumë i vendosur për ta fituar titullin. Nuk kishte ardhur në Tiranë për shëtitje. Ishte një boksier tipik argjentinas, kishte një stil loje shumë luftarak. Luante pak pisët. Më bëri përshtypje arbitri, që nuk i bëri qortim për goditje në shpine dhe mbas koke. S’kisha asnjë dyshim që do fitoja. Po them diçka që se kam thënë më parë. Dy javë para duelit kam pësuar një ftohje të lehtë që ndikoi pak në formën time gjatë duelit”.
Eventi – “Ishte një event i standardeve europiane, që s’kishte ndodhur kurrë më parë në Shqipëri. Të gjithë të pranishmit kanë ngelur të impresionuar. Dua të falënderoj babain dhe xhaxhain tim, që siguruan që çdo gjë të shkonte sipas planit”.
E ardhmja – “Tani kam si synim unifikimin e titujve Junior. Për këto tituj mund të konkurroj deri në moshën 24-vjeçare, më pas do synoj fitimin e një titulli të mirëfilltë kampion bote. Tani do pushoj pak dhe mbas festave të fundvitit do kthehem në Gjermani. Në ring pres të rikthehem në mars ose prill”.
Idhulli – “Aleksandr Usyk është një ndër idhujt e mi. Është një boksier fantastik. Nuk besoj se do të më jepet shansi për t’u ndeshur me të, pasi kur të jem gati për atë rang botëror, Usyk do ta ketë lënë boksin, pasi është në moshë madhe. Është shpallur boksieri më i mirë në botë në renditjen peshë për peshë”
Luan Krasniqi – “Luan Krasniqi ishte i pranishëm në duelin tim. Ai ka qenë një mbështetje shumë e madhe për mua. Madje mund të them një sekret. Gjatë kohës kur isha në ring dëgjoja në çdo moment këshillat e tij dhe më pas këshillat e trajnerit”.
Urimet – “Më vjen keq ta them këtë, por Shqipëria nuk i kushton shumë vëmendje sportit. Nuk e di pse ndodh kjo gjë. Kam marrë më shumë urime nga Kosova dhe Gjermania”.