Sipas futbollistit, skuadra nuk ka më shumë mundësi për rezultate, pasi lojtarët janë të rinj dhe ekipi nuk është konsoliduar ende
Admir Ujkaj, njëri nga lojtarët më me përvojë në skuadrën e Burrelit, shprehet se nuk është e vërtetë të jenë bërë pazare në ndeshjen me Besën e Kavajës. Sipas tij, skuadra nuk ka më shumë mundësi, pasi lojtarët janë të rinj dhe ekipi nuk është konsoliduar ende. Ujkaj shprehet se ai dhe kolegët e tij e kanë ditur që në fillim të sezonit se do të ishte një kampionat i vështirë për Burrelin. Ish-lojtarët me përvojën më të gjatë dhe me kontribute në këtë skuadër u larguan drejt klubeve të tjera. Mbrojtësi burrelas pranon se edhe ai mund të kishte një gjetur një ekip të Kategorisë së Parë, por nuk e bëri dhe vendosi të luajë përsëri me skuadrën ku kishte luajtur katër vitet e fundit.
Gjatë argumentimit të tij, Ujkaj thotë se ekipi i Burrelit ka ndryshuar totalisht. Ai nënvizon se nuk janë fajtorë drejtuesit e klubit dhe ekipit për gjendjen aktuale të Burrelit, pasi nuk kanë patur mundësi të sigurojnë lojtarë më cilësorë. Futbollisti matjan pohon se Burreli ka aktualisht lojtarë të rinj që nuk e njohin sa duhet lojën e njëri-tjetrit, pra ka probleme me grupin, ndryshe nga vitet e kaluara kur Burreli kishte harmoni dhe sektorë të konsoliduar mirë. Admir Ujkaj tha për “Sport Ekspres” se tifozët e Burrelit nuk e meritojnë ta shohin ekipin e tyre në këto pozita, në këtë gjendje. “Unë ka vite që luaj me këtë skuadër dhe nuk dua të besoj se jemi në këtë gjendje kritike. Ndihem shumë keq dhe uroj që situata të ndryshojë. Ditët e fundit është folur për kompromise në ndeshjen me Besën. Nuk besoj kurrë që në këto pozita që jemi ne të ketë pasur shitje të ndeshjes. Unë si futbollist i Burrelit i garantoj tifozët se ne do të luajmë me të gjitha forcat dhe skuadra do të mbijetojë në Kategorinë e Parë”, përfundoi Ujkaj.
Albi Lala