“UEFA, shihni se çfarë bëjnë”/ Kjo lojë e pisët, drejtori i Zvezdës: Po nuk i futët 4 gola Tiranës mos më thërrisni!

Nga Klaudio Ndreca

Serbët luajnë gjithmonë të njëjtën melodi e cila vazhdon dhe vazhdon të vendoset në sfond vetëm në përballjet me shqiptarët. Gjithmonë duke luajtur rolin e viktimës, kur në fakt janë të parët që sulmojnë. Të parët që drejtojnë gishtin sesi po kthehet më shumë se futboll, por të parët që e kthejnë vetëm politike. “Me lule” janë pritur edhe këtë herë në Shqipëri kur vetë Dejan Stankoviç e ka pranuar se është ndaluar nga shumë tifozë të Interit që i kanë kërkuar autograf dhe fotografi.

A e mendoni se çfarë mund të bëhet me një futbollist shqiptar apo ish-lojtar tonin në Serbi? Mos fantazoni larg! Nuk ka arsye, pasi mjafton të shihni trajtimin e mediave serbe.

Edhe pas gjithë kësaj mikëpritje siç nuk ndodh as me vendet e tjera, vazhdohet të flitet për dronë dhe supozime të cilat qëndrojnë vetëm në mendjen e atyre që ankohen pambarimisht dhe presin një shkas të vetëm, pasi të dërgojnë në pikën e reagimit për të fshehur duart dhe menjëherë për të denoncuar: “UEFA, shihni se çfarë po bëjnë ata”.

Këtë herë provokimi vjen nga vetë drejtori i Zvezdës, Zvedan Terzic, që as nuk e merr në konsideratë Tiranën. Pasi pa nga afër fushën në “Air Albania” dhe kushtet që ishin në nivelin më të lartë, ashtu siç nuk i ka parë edhe në Serbi, Terzic nuk ngurron t’i “kërcënojë” lojtarët se nuk kanë asnjë justifikim: “Po nuk i futët katër gola Tiranës, mos më thërrisni më”. E ndërkohë në mediat serbe ishin fjalët e Arbi Laçit se Muçi mund të bëjë diferencën të cilat trajtoheshin si kërcënim i drejtpërdrejtë për Zvezdën.

Atëherë, çfarë mund të thonë në kryeqytetin e Shqipërisë? Në fakt edhe vetë fjalët e Idi Bathës janë gjithë e vërteta: “Jemi vlerësuar si inferior përballë tyre”. Papritur është gjithë kryeqyteti që ka interes të madh për të parë nga afër dhe bërë fotografi me pjestarët e Zvezdës, për t’i dhënë edhe më shumë rëndësi nga çfarë mund të kenë realisht.

Në këtë moment edhe Tirana stepet duke parë sesi pritet Zvezda, si të ishte një ekip që ka fituar Champions League së fundmi. Ndërkohë jo shumë larg motivimi vjen nga Skënderbeu i bukur me mënyrën sesi la Dinamon e Zagrebit pa Europë. Ekipin kroat që flet vetëm në gjuhën e futbollit dhe është shumë herë më lart, ndryshe nga ekipet serbe që janë të pathyeshme vetëm në shtëpi me “keqpritjen” dhe birucat ku futen futbollistët kundërshtar, që kurrsesi nuk mund të luajnë lirisht.

Pra vërtet që Tirana është inferiore ndaj Zvezdës, por kjo vetëm në sjellje. Nëse Zoti do të veprojë edhe këtë herë, ashtu siç gjithmonë Egbo nënvizon, atëherë do të jetë me shqiptarët, padyshim… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *