Ndeshja gjysmëfinale e Champions League mes Romës dhe Liverpulit i la një shije të hidhur presidentit Xhejms Palota, i cili deklaroi mjaft i irrituar se ishte e turpshme se si në një kompeticion si Champions League nuk përdorej VAR. Kaq ka mjaftuar dhe komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s ka vendosur një pezullim për tre muaj për numrin një të klubit kryeqytetas.
Në këtë mënyrë Palota nuk do të ketë të drejtën që të qëndrojë në fushë, të zbresë në ambientet e brendshme të klubit gjatë ndeshjeve që organizohen nga UEFA. Për tre muaj e ardhshëm ai do ta ketë të ndaluar që të takojë lojtarët dhe stafin teknik gjatë ndeshjeve në arenën ndërkombëtare.
Po ashtu klubi është i detyruar që të paguajë dhe 19 mijë euro, për shkak të fishekzjarrëve të hedhura në po të njëjtën ndeshje. Në të ardhmen numri 1 i klubit të Romes duhet të tregohet më i rezervuar me deklaratat e tij, pasi mund ta pësojë dhe për më gjatë.