UEFA nuk e ka vetëm me Skënderbeun, në Greqi plasin arrestimet

Nëse mendoni se sinjalizimet e UEFA-s për trukime ndeshjesh lidhen vetëm me Shqipërinë dhe gjejnë Skënderbeun për ta bërë shembull, ndoshta e keni gabim. Në të vërtetë, UEFA dhe sistemi i saj i zbulimit të ndeshjeve të trukuara funksionon për shumë vende dhe bashkëpunimi me vende të tjera, si Qipro për shembull, ka qenë shumë i ngushtë. E keqja është se këtu te ne, dhe këtë e thotë UEFA, bashkëpunimi me shtetin shqiptar, autoritetet e larta të policisë dhe Prokurorinë, por edhe me Federatën Shqiptare të Futbollit, ka qenë zero. E thënë ndryshe: UEFA ka dërguar gjithnjë dosje, për shumë klube, por askush nuk e ka vënë ujin në zjarr, sepse “UEFA aludon, nuk ka fakte konkrete, hedh supozime në ajër”. Ndoshta, por i takonte FSHF-së dhe shtetit shqiptar të merrnin masa më të thella shumë vite më parë, pa u trashur muhabeti.

GREQI – Në Greqi ka vite që ka është zhvilluar një hetim i gjithanshëm për një skandal trukimet në vitin 2011, i emërtuar ‘Koriopolis’, ndërsa sot kanë ardhur verdiktet e Gjykatës së Apelit në Athinë, që ka dënuar 58 persona, duke përfshirë edhe dënime me burg. Bëhet fjalë për pronarë klubesh, futbollistë, drejtues të kompanive të basteve dhe zyrtarë të federatës, apo arbitra e vëzhgues. Përgjime telefonike gozhduan personazhet e arrestuar, ndërsa hetimi kishte nisur pas sinjalizimit nga Sistemi i Zbulimit të Manipulimeve të Basteve (BFDS) të UEFA-s, po ai që po fundos Skënderbeun.

Mes dënimeve janë një prej 3 vitesh me kusht për ish-presidentin e Asteras Tripolis dhe njëkohësisht ish-arbitër Jorgos Borovillos, 30 muaj burg me kusht për futbollistin Avraam Papadopoulos (tani luan në Australi me Brisbane Roar dhe akuzohet për baste të paligjshme), si dhe 10 vjet e 10 muaj burg për ish-pronarin e klubit Iloupoli, Giorgos Cakojani.

UEFA – Vendimet e drejtësisë greke janë përshëndetur nga UEFA: “Autoritetet greke nisën një hetim pasi UEFA dorëzoi një listë me 41 ndeshje të dyshimta në futbollin grek, të zbuluara nga sistemi BFDS, në bashkëpunim me kompaninë zvicerane Sportradar. Mirëpresim vendimet e drejtësisë në Greqi, si një hap i madh që synon pastrimin e futbollit, si dhe lavdërojmë Prokurorin e Përgjithshëm grek për bashkëpunimin e ngushtë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *