Ramazan Rragami është legjenda e futbollit shqiptar që ka ndërruar jetë në ditën e sotme. Për të qenë më të saktë, fizikisht nuk do të jetë më mes nesh, pasi veprat e tij kurrsesi nuk mund të humbasin dhe të pushojnë së ekzistuari. Një legjendë e përmasave të mëdha për Shqipërinë që do të trashëgohet në çdo brez dhe jo pa arsye. Gjithmonë pas një lojtar të madh fshihet njeriu i të tillave niveleve, Rragami ishte shembulli i saktë!
Por çfarë përfaqësonte futbolli për të, a ishte vetëm një top që sjell si “idiot” disa burra pas tij? Jo, përkundrazi! Dikur, në një intervistë për “Sport VIP” me gazetarin Altin Sulçe, Rragami shprehej se topi është gjetur si një zgjidhje me formën dhe ngjashmërinë e globit, pasi me këtë të fundit nuk mund të luhet dot. Fjalët më të mira nuk mungonin as për tifozerinë e Shkodrës që asokohe nuk oshëtinte në stadium ndaj kundërshtarëve pa e bërë fillimisht këtë gjë në stërvitje për të mbështetur lojtarët. “Tifozët shkodran e kanë pasur gjithmonë traditë që duartrokisnin kundërshtarët nëse luanin më bukur se ne. Sigurisht që ne nuk na vinte mirë si lojtarë, por ata ishin objektiv. Për vite me radhë tifozët e mbushnin stadiumin plotë në Shkodër, madje jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje.
Kupa Ballkanike atëherë? Ka pasur shumë vlerësim! Më kujtohet një rast kur Partizani luante me Fenerbacen. Stadiumi i Fenerbaces ishte i tejmbushur dhe pjesa e parë u nda 0-2 për ne. Tifozët vazhdonin që të bërtisnin dhe nga ai i presion i madh i tyre, ne u mundëm 3-2 me një autogol. I gjithë globi është i mbledhur te topi i futbollit. Është e pamundur që të luash me rruzullin tokësor, por është gjetur topi i futbollit që të lëvizi gjithçka. Bota është e rrumbullakët, ashtu si topi i futbollit”, do të shprehej Rragami.
Ky njeri do të mbesë gjatë në historinë e futbollit pasi ka bërë që edhe UEFA të ndryshoi rregullin e penalltive, në momentin pasi ndeshja del e barabartë në të dy fazat e saj. Bëhet fjalë për vitin 1972 ku luhej finalja e Kupës së Republikës mes Besës dhe Vllaznisë. Ekipi i Kavajës fitoi në shtëpi me shifrat 2-0. Në ndeshjen e kthimit, ishin dy penalltitë e ekzekutuara saktë nga ana e Rragamit që i dhanë fitoren Vllaznisë me po të njëjtat shifrat, 2-0, për të kaluar në ruletën ruse. Asokohe Vllaznia ia doli që të triumfojë pasi Rragami i ekzekutoi i vetëm të pesta penalltitë të cilat gjetën rrjetën. UEFA nuk e ndalonte me rregull që i njëjti lojtar të gjuante më shumë se një penallti. Pasi lajmi bërë xhiron e shteteve më të njohura në Europë, UEFA veproi menjëherë për të vendosur rregullin që e gëzojmë edhe sot e kësaj dite. E gjitha falë Rragamit!
“Nuk kam humbur kurrë penallti as në Kupë as në kampionat. Është shumë e vështirë që ta marrësh këtë përgjegjësi. Mbaj mend që në ndeshjen mes Besës dhe Vllaznisë, pasi bëra tre penalltitë e para i thashë trajnerit se duhet të fuste dikë tjetër pasi unë isha lodhur shumë, nisur edhe nga terreni i rënduar. Më tha: “I sheh ata tifozët atje? Po të presin ty. Më mirë humbi ti se dikush tjetër”. Më dha forca dhe ia dola. Sekreti? Thjesht zgjidh pjesën më të fortë të këmbës tënde dhe mundohu që goditja jote të mos shkoj jashtë, por të jetë vetëm në kuadrat. Gjithë pjesa tjetër është vetëm stërvitje. Ne kemi se me çfarë të mburremi. Stërvitja në kohën tonë ka qenë shumë e madhe në aspektin fizik dhe kështu i konkurronim edhe ekipet e tjera europiane. Tani është më e lehtë se në Europë ekipet tona ndeshen me kundërshtarë nga Malta, por ne kemi luajtur ndaj yjeve të futbollit”, do të shprehej Rragami. /Sport Ekspres/