Sot hidhet shorti për fazën e grupeve të Champions Ligës në Montekarlo dhe shpallen çmimet e lojtarëve më të mirë nga UEFA dhe tre kandidatët për vendin e parë janë: Kristiano Ronaldo, Luka Modriç dhe Muhamed Salah. Portugezi, pasi fitoi çmimin e golit më të bukur më perlën e shënuar përballë Juventusit, është favoriti kryesor dhe për futbollistin e vitit të sezonit 2017-2018 të UEFA-s. Bie në sy mungesa e Leo Mesit, i cili renditet i pesti në listën e dhjetë lojtarëve më të mirë.
Xhixhi Bufon, Kejlor Navas dhe braziliani Alison konkurrojnë për çmimin e portierit më të mirë, ndërsa sfida për mbrojtësin më të mirë zhvillohet brenda ekipit te Realit të Madridit. Serxho Ramos, Marselo dhe Rafael Varan janë tre kandidaturat. Në mesfushë përballen Toni Kros, Luka Modriç dhe Kevin De Brujn, ndërsa Ronaldo, Salah dhe Leo Mesi janë tre kandidaturat për sulmuesin më të mirë.
Diego Godin, Antuan Grizman dhe Dimitri Pajet konkurrojnë për futbollistin më të mirë të Europa League, ndërsa për futbollisten më të mirë të Champions për femra luftojnë: Pernille Harder, Ada Hegerberg dhe Amandin Henri.