EURO 2024 nuk përfundoi kur Spanja ngriti trofeun pas fitores ndaj Anglisë në Berlin.
Në fakt, investimi i UEFA-s në një ngjarje të tillë të klasit botëror shkon përtej vërshëllimës së fundit të arbitrit dhe këtë javë, me mbështetjen e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), UEFA zhvilloi Konferencën e 14-të për Trajnerët e Ekipeve Kombëtare dhe Drejtorët Teknikë nga e gjithë Evropa në Gjermani për të analizuar tendencat kryesore taktike që u vunë re gjatë turneut kontinental.
Në konferencën e zhvilluar në Berlin morën pjesë edhe zv.trajneri i Kombëtares shqiptare, Dorival Guidoni Junior dhe Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea.
Fokusi i kësaj konference ishte analiza teknike e lojës përgjatë EURO 2024, ku u prezantua një raport i hollësishëm teknik, bazuar në performancën e skuadrave, teksa referuan emra të njohur si Fabio Capello, Arsen Wenger, Rafa Benítez, David Moyes, Michael O’Neil, etj.
Gjithashtu, u diskutua mbi ekspertizën e të gjithë drejtuesve teknikë, të cilët ndanë eksperiencën dhe idetë se si UEFA mund të mbështesë më mirë në katër fusha të rëndësishme si: zhvillimi i lojtarëve të rinj të elitës, analiza e performancës/raportet teknike, edukimi i trajnerve dhe futbolli i bazës.
Përgjatë punimeve të konferencës u mbajtën diskutime nga trajnerë të suksesshëm, si Luis de la Fuente, Julian Nagelsmann, Didier Deschamps, Willy Sagnol, Roberto Martínez, të cilët folën rreth EURO 2024 dhe jetës si trajner i një kombëtareje.