UEFA i ndërpreu rrugën për në Tiranë Totenhemit të Kontes, duke u dhënë një humbje 3-0 në tavolinë kundër Renesë. Skuadra londineze nuk mundi të zhvillonte ndeshjen e fundit të grupit në Ligën e Konferencës, ku do të vendosej edhe kualifikimi i tyre, për shkak të numrit të lartë të të infektuarve me Kovid.
Por UEFA deklaroi se nuk ishte e mundur të gjendej një tjetër datë në kalendar për të zhvilluar këtë përballje, prandaj trupi i disiplinës vendosi përfundimisht që Rene të fitonte në tryezë. Kjo vendimmarrje ka zhgënjyer së tepëri Antonio Konten, i cili dëshiron të vazhdojë rrugën për në “Air Albania“ dhe për këtë arsye paralajmëron se do ta dërgojë çështjen në KAS.
“Nuk është përfundimtare, por ka një hap tjetër për të konfirmuar apo jo këtë vendim të pabesueshëm. Ne jemi shumë, shumë të sigurt për hapin tjetër dhe e përsëris se e meritojmë të luajmë kualifikimin në fushë, jo në gjykatë. Nuk mund ta pranoj këtë. Jemi shumë, shumë të zhgënjyer me UEFA-n për këtë vendim. Është e padrejtë sigurisht”, ka deklaruar Antonio Konte./Halit Delibashi-Sport Ekspres/