Për herë të parë në historinë e vet SD Ueska (Huesca në spanjisht) ka siguruar ngjitjen në La Liga. Klubi i themeluar në vitin 1960 u ngjit për herë të parë në Segunda vetëm në vitin 2008 dhe që atëherë ka provuar mrekullinë, duke ia dalë mbanë këtë vit.
Megjithatë, ngjitja në La Liga, e festuar para 10 ditësh, është njollosur keqas nga një skandal bastesh.
Fundjavën e shkuar Ueska priste Gimnastik Tarragonën dhe ishte një ndeshje tepër e dyshimtë, që ka detyruar UEFA-n të sinjalizojë Federatën Spanjolle, duke i kërkuar hetim.
Gjatë gjithë javës para ndeshjes pati baste masive pro Gimnastik, që lufton për mbijetesë dhe dukej qartë që Ueska i kishte premtuar një nder. Situata u bë absurde, me Gimnastik që kuotohej rreth 1.5 dhe Ueska kryesuese kutohej 4 apo 5 në fushën e vet!
Në kuotimin Live në Europë e Azi tendenca nuk ndryshoi, përkundrazi, sepse bastet për Gimnastik u shtuan ndjeshëm, duke u shoqëruar me bastet që pjesa e parë nuk do të kishte gola.
Mjaftonte edhe një sy i pastërvitur që të kuptonte se ndeshja ishte e manipuluar, nuk dihet nëse nga klubet apo nga lojtarë të veçantë, por për UEFA-n kjo nuk ka rëndësi. Sport Radar ka sinjalizuar bastet e frikshme nga Rusia e Ukraina deri në Azi dhe indiciet janë të qarta që ka pasur trukim.
“Baste të habitshme, në sasi jashtë logjike, që nuk u përgjigjen fare nivelit të ekipeve në fushë dhe interesit të sfidës”, ka shkruar UEFA në raportin e saj.
Federata Spanjolle ka dalë me një vendim të shpejtë: sinjalizimi i UEFA-s është i drejtë, ka pasur indicie të forta për trukim dhe tashmë çështja i ka kaluar Komisionit të Disiplinës, që do të marrë një vendim urgjent, ndërsa e ka raportuar gjithçka në organet shtetërore, sepse sipas ligjit ndeshja do të kalojë nën hetimin e policisë spanjolle.
Tashmë është gjithçka në dorën e shtetit spanjoll dhe federatës së atij vendi, sepse UEFA nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Spanjës, për sa kohë klubet nën akuzë nuk janë përfshirë në kupat e Europës. Nëse nuk mbulohet gjithçka, Ueska dhe Gimnastik rrezikojnë penalizim në pikë, deri te zbritje nga kategoria.