Një javë në Stamboll, korçarët s’kthehen në Shqipëri nga Andorra
Pas ndeshjes së sotme në mbrëmje, Skënderbeu nuk do të kthehet në Shqipëri, por do të ketë një destinacion tjetër. Ndeshja e parë e turit të dytë të Europa League, që do të luhet ndaj kazakëve të Kairatit, është në transfertë dhe Skënderbeut nuk i leverdis kthimi. Drejtuesit e klubit korçar i kanë bërë llogaritë të mos kthehen në shtëpi, por të shkojnë në Turqi, për të qenë sa më pranë Kazakistanit. Në këtë mënyrë, Stambolli do të jetë destinacioni i nesërm i Skënderbeut. Në orët e para të mëngjesit Skënderbeu do të lërë Andorrën dhe me autobus do të kthehet në Barcelonë, më pas do të fluturojë drejt Stambollit dhe do të akomodohet në një prej hoteleve të qytetit më të madh turk. Trajneri Daja dhe të tijtë do të qëndrojnë gati një javë në Turqi, pasi deri një ditë përpara ndeshjes së radhës, që luhet më 13 korrik, do të stërvitet në këtë vend. Kështu udhëtimi për në Kazakistan do të jetë sa më komod, pasi Turqia mbetet një distancë e afërt. Kjo është axhenda e Skënderbeut pas ndeshjes së mbrëmjes së sotme, por nuk përjashtohet ndonjë lëvizje surprizë. Skuadra duhet të sigurojë së pari kualifikimin, që në fakt nuk është i vështirë.
Ekipi mbërrin në Andorrë, sot paradite në stërvitje
Edhe Skënderbeu dje nuk i ka shpëtuar sfilitjes nga udhëtimi i gjatë. Siç bëri të ditur edhe një ditë më parë “Sport Ekspres”, ekipi udhëtoi i ndarë më dysh. Stafi teknik dhe një pjesë e futbollistëve udhëtuan dje paradite me mjete private nga Durrësi drejt Prishtinës, nga ku u nisën me avion drejt Stambollit. Gjysma tjetër e skuadrës udhëtoi nga Rinasi drejt Stambollit dhe rreth mesditës skuadra ka qenë e gjitha bashkë në Turqi, duke udhëtuar më pas drejt Barcelonës dhe në fund me autobus për në Andorrë. Rreth orës 21:00 Skënderbeu mbërriti në destinacion dhe sigurisht që lodhja ka bërë punën e vet. Ekipi nuk pati mundësi të dalë në stërvitje, gjë do ta bëjë sot paradite, në orën 9:30, në fushën e stadiumit, ku do të luhet ndeshja e mbrëmjes. Skënderbeu vetëm sa do të njihet me fushën dhe kjo seancë e fundit pritet të zgjasë rreth 45 minuta.