Tenisti australian Bernard Tomic përfundoi në qendër të vëmendjes këtë javë, por jo për shkak të ndonjë rezultati të mirë.
Në turin e parë në Wimbledon Tomic u bë qesharak, sepse nuk bëri aspak rezistencë ndaj Wilfried Tsonga, duke u mundur në 3 sete, 6-2, 6-1, 6-4, në vetëm 58 minuta, rekord për thuajse 2 dekada.
Po të ishte ndonjë tenist debutues edhe mund të kuptohej, por Tomic është një emër i njohur dhe ka qenë deri në vendin e 18-të në renditjen botërore.
Pamjet e ndeshjes ishin irrituese, sepse Tomic thjesht ecte në fushë dhe dukej qartë që nuk merrte mundimin të luftonte, nuk dihet pse. Këtë gjë ai e bëri edhe para dy vitesh në Wimbledon, ndoshta i painteresuar për një turne në sipërfaqe me bar, apo duke parë rivalin e fortë.
Gjithsesi, Tomic nuk ia ka hedhur paq, sepse nuk ka marrë asnjë kacidhe. Organizatorët e turneut ia kanë hequr premion prej 45 mijë sterlinash për pjesëmarrjen, ashtu si bënë para dy vitesh.