U pezullua se shkelmoi lojtarin, arbitri francez zgjidhet më i miri i vitit!

Histori e çuditshme dhe komike në disa aspekte ajo që vjen nga Franca, ku Toni Shapron është zgjedhur arbitri më i mirë i sezonit që po mbyllet. Për ata që nuk e njohin, bëhet fjalë për arbitrin që në janar u bë protagonist i një gjesti absurd në ndeshjen Nantë-PSG (0-1): I shtyrë dhe i rrëzuar pa dashje nga mbrojtësi i Nantës Diego Karlos, Shapron reagoi në mënyrë instiktive duke goditur me shkelm futbollistin, të cilit i dha karton të kuq më pas, mes habisë dhe protestave pa fund të viktimës. Më pas Shapron e kuptoi gafën dhe i kërkoi falje Diego Karlosit, duke e përshkruar veprimin e tij si një “gjest i papërshtatshëm”.


Gjithsesi, Shapron u pezullua për tre muaj dhe pas apelit dënimi shkoi në 6 muaj, që nënkuptonte mbylljen e sezonit, por edhe të karrierës, sepse 46-vjeçari kishte lajmëruar verën e shkuar se do të mbyllte karrierën në fund të sezonit aktual.

Tani arbitrat e Ligës 1 dhe 2 kanë shfaqur hapur mbështetjen për kolegun e tyre, duke e zgjedhur më të mirin e sezonit, me 31% të votave. Edhe më parë unioni i arbitrave kishte protestuar për pezullimin e gjatë të Shapronit, duke e krahasuar me “vrasje të karrierës”.

Tani arbitrat tregojnë solidaritetin e tyre për Shapron, por Le Parisien zbulon se zgjedhja e tij si arbitri më i mirë ka krijuar shumë probleme, sepse çmimi duhet të jepet në mesin e muajit maj, gjatë ceremonisë ku do të nderohen lojtarët më të mirë të sezonit.

Natyrisht, nderimi i një arbitri që goditi një futbollist mund të krijojë jo pak polemika, ndaj po ushtrohet presion ndaj unionit të arbitrave që të fshijë rezultatet e votimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *