Rustem Hoxha po vijon karrierën e tij në Kosovë pas largimit nga Teuta. Mbrojtësi u largua nga Durrësi pasi mori titullin kampion për t’ju bashkuar Ballkanit. Në një lidhje direkte me emisionin “Ora Sport” në “Ora TV” Hoxha tregon se është ambientuar në ekipin e ri, ndërsa shton se pagat më të larta janë arsyet përse shumë lojtarë zgjedhin të lënë Shqipërinë për Kosovën.
“Te ekipi që jam paguajnë shumë mirë. Kjo është një nga arsyet që kemi ardhur këtej. Deri tani kemi shkuar shumë mirë. Kemi pësuar pak gola. Por nuk është vetëm mbrojtja. Në Shqipëri luhet më mirë nga ana taktike. Por po shoh një ndryshim. Edhe këtu po fillojnë të luajnë më mirë në anën taktike. Ndikon fakti se trajnerët janë më të rinj.
Është e vështirë përshtatja. Varet nga ekipi ku shkon, si të presin, varet nga grupi. Mua më ka ndikuar edhe eksperienca. Por ekipi më ka pritur shumë mirë. Klima këtu është më e ftohtë. Kishim ndeshjen e Drenicën dhe koha ishte shumë e ftohtë, edhe kushtet nuk ishin shumë të mira”, Rustem Hoxha./Halit Delibashi/