Vedat Muriqi po ruan formën e gjysmës së dytë të sezonit të shkuar. Rikthimi te Majorka po shkon më së miri, teksa mbrëmjen e së shtunës shënoi gol kundër Real Betisit. Trajneri i Majorkës ka folur përpara mediave pas ndeshjes dhe ka theksuar faktin se sulmuesi shqiptar ka 30 seanca stërvitore më pak se shokët e skuadrës. Agirre pranon se Muriqi është një pikë referimi për sulmin e tij dhe se sapo të fitojë formën maksimale do të luajë 90 minuta të plota.
“Ai nuk bëri parasezon. Kishte një problem me nënshkrimin e tij, se do të shkonte në një ekip tjetër dhe në fund nuk u bë. Ai kishte një boshllëk në parasezon, prandaj ka një defiçit prej 30 seancash stërvitore në krahasim me shokët e tij. Kjo dallohet. Gradualisht po merr formë, jo për shkak të golit, por për shkak të punës që bën.
Unë mendoj se ai ishte në nivelin e ekipit dhe mendoj se kur të ndihet më mirë do të jetë në gjendje të luajë 90 minuta të rregullta për ne. Në pjesën e parë ishte pak më e vështirë për të sot (pardje), por ishte më mirë se në Bilbao. Pra, presim shumë nga Vedati. Ai është një pikë referimi dhe vitin e kaluar na dha shumë gjëra. Ai është një djalë që do të gjejë formën e tij dhe do ta kthejë atë në gola”, ka thënë Havier Agirre./Halit Delibashi-Sport Ekspres/