Serena Uilliams u kualifikua në gjysmëfinalet e Uimbëlldonit, ndërsa në fund të duelit me italianen Kamila Xhorxhi thirri: “U ktheva!”. Shtatë herë fituesja e turneut prestigjoz ishte shkëputur nga tenisi prej afro një viti, pas lindjes së vajzës së saj të parë. Megjithatë, mungesa e ndeshjeve nuk ndikoi në formën e tenistes amerikane, që pasi humbi setin e parë me shifrat 3-6, arriti të përmbyste rezultatin në dy setet pasardhës, të cilat I fitoi 6-3, 6-4.
Pas sfidës, Uilliams tha: “Sa herë që ndeshem me Xhorxhin, ajo luan në të njëjtin nivel. E kisha të qartë që nuk do ta kisha të lehtë. Kamila jep gjithmonë maksimumin dhe nuk dija çfarë të bëja tjetër përveçse të vazhdoja të luftoja”.
Italiania Xhorxhi luajti sfidën e parë çerekfinale në karrierë në një Grand Slem, por megjithatë arriti ta befasonte 23 herë fituesen në turnetë madhorë në setin e parë. Të gjithë prisnin një tjetër surprizë, pasi deri më tani nga Uimbëlldoni janë larguar të dhjetë tenistet e para në renditjen botërore. Megjithatë Uilliams arriti të rikthehej në lojë dhe në fund triumfoi.
Amerikania 36-vjeçare tashmë do të përballet në gjysmëfinale me Xherman Julia Xhorxhs, në tentativën për të fituar kurorën e tetë në Uimbëlldon. Edhe Xhorxhs, e cila e nisi turneun si numri 13 në botë, u detyrua të fitonte me përmbysje përballë Kiki Bertens, pasi humbi setin e parë me shifrat 3-6, por më pas ktheu gjithçka në favorin e saj.