Shqipëria është larguar me humbje nga Praga. Kuqezinjtë janë mposhtur me rezultatin 2-0 nga Republika Çeke. Ndeshja u vendos nga Chory, i cili mban autorësinë e të dy golave, që u shënuan përkatësisht në minutën e 3-të dhe të 63-të të takimit. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri kanë dhënë përshtypjet e tyre të para për mikrofonin e “TV Klan”-it.
Hysaj: “Edhe ne e dimin që i kishte mbetur pak në kokë ajo ndeshje me Shqipërinë dhe ishin më të motivuar. Në 15 minutat e para u treguan shumë të fortë. E dinim që ata ishin shumë të fortë në lojën në ajër. Edhe golat ashtu erdhën. Ne e kishim rastin, mund të kishim barazuar ose mund të kishim fituar. Por nuk e bëmë. Pastaj ata shënuan golin e dytë dhe aty na u prenë këmbët pastaj. Duhet ta rrisim vetëbesimin, sepse ne vërtetë kemi një skuadër të mirë. Çekia po luante sot sikur ne ishim Spanja. Në dy ndeshjet e kaluara kemi luajtur mirë. Mos të kalojmë direkt në këto momente sikur po na bie gjithçka poshtë. Duhet ta mbajmë këtë nivel ku kemi shkuar”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/