Lirim Kastrati nuk u grumbullua këtë herë me dardanët, pasi trajneri Shaland e cilësoi të papranueshme që një lojtar të kërkonte garanci për të luajtur me Përfaqësuesen. Kjo pasi menaxheri i sulmuesit që luan me Lokomotivën e Zagrebit, kishte kërkuar minutazhin për klientin e tij.
Por ka qenë vetë futbollisti këtë herë që ka thyer heshtjen dhe ka komentuar këtë situatë, duke dhënë një histori krejtësisht të re. Sipas këtij të fundit, trajneri i Kosovës duhet të jetë keqkuptuar me telefonatën, pasi thjeshtë kërkohej të dihej situata, nëse ishte më mirë të qëndronte te stoli i dardanëve A, apo të shkohej te U-21.
Kastrati ndër të tjera është shprehur se është gjithnjë në shërbim të Kosovës, madje duke përmendur edhe faktin se ai ka refuzuar edhe Shqipërinë për të luajtur me ta.
“Unë nuk e kam refuzuar asnjëherë Kosovën A, madje unë kam pasur ofertë nga Kombëtarja e Shqipërisë dhe nuk kam shkuar, por kam ardhur të luaj për Kosovën dhe për këtë jam shumë i lumtur. Menaxheri im ka biseduar me Shaland dhe ka kërkuar të dijë a do të ketë minuta për mua apo jo.
Besoj se është e drejtë të pyesim dhe të shohim ku jemi. Kjo është bërë për faktin se ka ndeshje edhe Kombëtarja U21 dhe mendoj se më mirë është të luajë dhe ta ndihmoj Kosovën U21 sesa të qëndroj në bankë. Jam në formë të mirë te klubi im dhe dua të vazhdoj me këtë formë edhe te Kosova. Çdo herë i kam respektuar vendimet e Shaland dhe do t’i respektoj, pasi është trajner me përvojë. Kosovës A i uroj suksese në dy ndeshjet e radhës.
Unë jam vetëm 20 vjeçar dhe dua ta ndihmoj vendin tim. Kam luajtur për U19, U21 dhe Kosovën A. Do të luaj aty ku mund të jap kontribut, duke mos e refuzuar kurrë ftesën e vendit tim”, ka thënë Kastrati për “KTV”. /Sport Ekspres/