Zlatan Ibrahimoviç, ky është njeriu që thyen çdo rregull të mundshëm në futboll. Sulmuesi suedez është një motivim i madh për të gjithë lojtarët e tjerë sa i përket mbylljes të karrierës së tyre që tanimë nuk e ka një shifër fikse, ndryshe nga më parë.
Të gjithë mendonin se ylli suedez do të tërhiqej kohë më parë dhe të përfundonte karrierën, por në moshën 39-vjeçare është rikthyer te Milani duke treguar nivelin më të lartë, si të ishte ende 20-vjeç. Një lajm i keq vjen nga Italia atje ku raportohet se Zlatan Ibrahimoviç është infektuar nga pandemia dhe këtë e ka konfirmuar edhe vetë klubi italian.
Sigurisht, asnjë frikë se ky sulmues do ta përjetojë keq këtë virus, por vetëm për faktin se do të mungojë më gjatë në fushën e blertë. Sa i përket çështjes së virusit, padyshim është kapur me njeriun e gabuar. Në këtë linjë mendimi është edhe legjenda e Anglisë, Gary Lineker, i cili pasi shpërndan lajmin ka shtuar edhe një koment domethënës: “Jemi me virusin në këto kohë të vështira që po kalon”. /Sport Ekspres/