Bylisi vetëm zyrtarisht nuk është pjesë e Superiores për sezonin e ardhshëm. Gara në grupin B mund të konsiderohet e mbyllur, pasi Komisioni I Disiplinës pritet të dënojë kavajasit pas kaosit të krijuar në ndeshjen e djeshme me ballshiotët.
Goditja e anësorit Denis Rexha nga tifozët solli ndalimin e ndeshjes. Ishte e disata herë që hidheshin sende të forta në fushën e blertë dhe në kushtet e krijuara arbitrat dhe zyrtarët e ndeshjes vendosin të përfundonin takimin para kohe.
Referuar rregullores, Besa ka dështuar në përmbushjen e përgjegjësive dhe kështu dënimi do të jetë maksimal në aspektin sportiv. Tre pikët do të shkojnë për Bylisin, ndërkohë që me shumë mundësi do të ketë edhe heqje pikësh. Kështu gara do të merrte fund. Në fakt, edhe me 6 pikët diferencë të Bylisit e gjitha është një histori e mbyllur.
Dënimi i Besës do të vijojë me mbylljen e stadiumit. Rregullorja e ka të përcaktuar qartë, që minimumi, kur goditet një zyrtar ndeshje dhe për pasojë ndërpritet ndeshja përkohësisht, atëherë dënimi minimal është tetë ndeshje pa spektatorë. Këtë herë ndeshja u ndal përfundimisht dhe Besa mund të detyrohet të luajë jo vetëm pa tifozë, por edhe jashtë Kavajës. Kështu, pasojat e asaj që ndodhën në ndeshjen me Bylisin, verdhezinjtë do i vuajnë edhe sezonin e ardhshëm.