Historia e trajnerit të Seviljes, Eduardo Berizo, që ka dalë me tumor në prostatë dhe tashmë do të nisë kurën, ka prekur këdo në botë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe trajneri i ekipit kombëtar Kristian Panuçi i kanë shprehur së fundmi me anë të një letre, solidarizimin e tyre të plotë dhe kurajon për trajnerin spanjoll, në lidhje me diagnostikimin e tij më të fundit nga ana e stafit mjekësor spanjoll, ku për pasojë trajneri do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të mëtejshme kirurgjikale. Në mesazhin e tij drejtuar klubit spanjoll të Seviljes, dhe trajnerit Berizo, kreu i FSHF-së Duka shkruan:
“I nderuar Z. Berizzo!
Ndihem thellësisht i prekur duke dëgjuar lajmet më të fundit për shëndetin tuaj. Me këtë rast dëshiroj të shpreh nga ana ime dhe e FSHF, dhe së bashku me trajnerin e ekipit tonë kombëtar Kristian Panuçi mbështetjen tonë karshi jush në kalimin e kësaj situate shëndetësore. Ne do të lutemi dhe shpresojmë që lutjet tona të kthehen së shpejti me lajme të mira për përmirësimin e shëndetit tuaj.
I dashur, z.Berizzo!
Dua të konfirmoj edhe një herë mbështetjen tonë të plotë në këtë moment të vështirë për JU”,- shprehet në letrën e tij Presidenti i FSHF-së, Armand Duka drejtuar klubit të Seviljes, në këtë moment të vështirë që po kalon trajneri i skuadrës”.