Turneu “Replay Snack Elka Cup 2026”/ Gjimazi Petro Nini Luarasi shpallet fitues & kalon në fazën finale

Gjimnazi “Petro Nini Luarasi” u shpall kampion mes 8 gjimnazeve të Tiranës në turneun “Replay Snack Elka Cup 2026”, pasi triumfoi me rezultatin 1-0 në finalen ndaj gjimnazit “Qemal Stafa”.

Finalja, e zhvilluar pasditen e sotme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, dhuroi emocione të shumta dhe një atmosferë të mrekullueshme, me shkallët e mini-stadiumit të mbushura nga gjimnazistë që mbështetën me entuziazëm skuadrat e tyre.

Falë këtij suksesi, “Petro Nini Luarasi” siguron pjesëmarrjen në fazën e ardhshme të turneut, ku do t’i bashkohet edhe 7 ekipeve fituese nga shoqatat e tjera rajonale të Shqipërisë, në ndeshjet që do të zhvillohen në javët në vijim.

Në përfundim të finales, Presidenti Armand Duka dhe zv.ministrja e Arsimit, Herida Duro dhe zv.ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Endrit Hoxha, i dorëzuan trofeun ekipit fitues, duke përgëzuar të gjithë pjesëmarrësit për shpirtin e garës, përkushtimin dhe atmosferën pozitive që shoqëroi këtë aktivitet.

“Replay Snack Elka Cup 2026” po zhvillohet nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministrinë e Arsimit, si edhe me mbështetjen e kompanisë Replay, duke synuar promovimin e sportit dhe aktivizimin e të rinjve në futboll.