Nga Cërriku: Mariglen Miraka
Krerët e Turbinës zhvilluan sot një takim në ambientet e bashkisë Cërrik. Dy donatorët, presidenti Gentian Gjoka që ka 60% të aksioneve dhe bashkiaku Altin Toska, që ka 40%, folën për ecurinë e mëtejshme të ekipit për sezonin e ri futbollistik 2018-2019.
Presidenti Gjoka i propozoi kryetarit të bashkisë që ambientet e shkollës bujqësore të përdoren si aneks stërvitor për ekipin e parë dhe për të rinjtë dhe paratërinjtë. Gjithashtu, bosi i klubit cërrikas ka deklaruar se objektiv këtë sezon mund të jetë edhe ngjitja në Superiore, nëse mbështetja financiare është e duhura.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku Toska ka kërkuar pak kohë për t’u menduar dhe shumë shpejt do të zhvillohet një takim i ri, për të diskutuar dhe vulosur këto gjera. Pra, do të zhvillohet një takim i dytë, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm, ku do të vendoset trajneri i ri.
Me shumë gjasa, trajner do të jetë përsëri Sinan Bardhi, i cili drejtoi dhe kampionatin e kaluar Turbinen. Po ashtu, do të vendoset edhe fillimi i përgatitjeve për sezonin e ri, si dhe për merkaton e veres.
Ajo që mund të thuhet është se edhe këtë sezon nuk do të mungojë bashkëpunimi i frytshëm midis presidentit Gjoka dhe kryebashkiakut Toska, për ndërtimin e një Turbine të fortë dhe tepër solide.