Mamadu Tunkara nga Lacio te Flamurtari, në huazim deri në fund të sezonit, është natyrisht lajmi i ditës, për të mos thënë i janarit, sepse nuk ndodh shpesh që një klub i Serisë A dhe i elitës të dërgojë lojtarë në Shqipëri. Megjithatë, duke parë mbipopullimin në sulmin e Flamurtarit, e ligjshme është pyetja se ku do të luajë sulmuesi 22-vjeçar.
Roli i tij kryesor është sulmues qendror, çka do të thotë se është një rival për Tomisllav Bushiç. Roli dytësor është sulmues i djathtë, çka do të thotë se merr vendin e zënë deri tani nga Ardit Hoxhaj apo Kamara. Pozicion tjetër është sulmues në krah të Bushiç, me Duron që do të kalonte në skemën 4-4-2 ose 4-2-2-2. Në çdo rast, skemë super sulmuese, për një trajner që konsiderohet difensiv, por nga ana tjetër kaq shumë emra cilësorë përpara janë një stres më vete për Duron, i cili realisht nuk kishte kërkuar përforcime të tjera. Gjithsesi, Tunkara vjen me “sponsorizimin” e Igli Tares, i cili garanton se djaloshi afrikan me pasaportë spanjolle mund t’i vlejë shumë Flamurtarit.
IDRIZI-TARE – Administratori Sinan Idrizi ka shumë miqësi me drejtorin sportiv të Lacios, Igli Taren. Ai ka pohuar për “Sport Ekspres” se për këtë lojtar është biseduar që kur është takuar me Taren në Turqi: “Po, kemi kohë që interesohemi për këtë lojtar, të cilin e presim në huazim nga Lacio. Kemi folur me Iglin kur jemi takuar në Turqi. Është një lojtar i ri, me kualitet të lartë, përderisa është pjesë e Lacios”, – u shpreh Idrizi.