Nga Anton Cicani
Katër ndeshje, asnjë gol i shënuar dhe 2 pikë të grumbulluara… Nëse do të mjaftoheshim me këto shifra, atëherë padiskutim që do të flisnim për një mbijetesë të vështirë për t’u arritur, por subjekti në fjalë është Partizani, skuadra e lavdishme e Shqipërisë dhe ajo që ka numrin më të madh të tifozerisë në vendin tonë.
Ata që kanë pasur mundësinë të ndjekin Partizanin e Kategorisë së Parë dhe të Dytë, padiskutim që do të jenë kënaqur më shumë nga ndeshja që sot në “Selman Stermasi” luajti skuadra e kryeqytetit, një dështim total, një zhgënjim absolut. Pikërisht skuadra që në dy vitet e fundit ka luftuar për titullin, sot e sheh veten të barabartë me Lushnjen, që është edhe më mirë, pasi ka shënuar një gol, të paktën…
E ndërsa futbollistëve duhet t’u vijë turp për atë që po japin me një fanellë legjendare të mbajtur veshur, Mark Juliano, trajneri i ardhur si shpëtimtari i kombit dhe ai që duhet të sillte revolucionin, duhet të dalë përpara medieve dhe të dorëzojë detyrën, për të dhënë shembullin se nuk dha asgjë në këtë skuadër dhe se ai kurrë s’e ka pasur në dorë grupin, nga fillimi në fund.
Nga Juliano te Luçiano Moxhi, drejtori që me prepotencë tregonte planet e klubit dhe madje arrinte deri aty sa të deklaronte “ma lini mua në dorë, do të jemi fitues”. Përkrah tij, presidenti Demi duhet të ketë forcën për të marrë një vendim drastik dhe për të mos u bërë më “parashutë” e një rënie që nuk ka fund. Sepse ky Partizan ta shpif! Dhe, nëse tifozët sot vërshëllyen, nesër duhet të lënë bosh shkallët e stadiumit. Mungon rezultati, por nuk duhet të mungojë karakteri dhe dëshira.
Nëse mungojnë të treja, atëherë më mirë të ulësh kokën dhe të shkosh të punosh, për të justifikuar të paktën rrogën që po merr, e cila është dhjetëfish më e lartë se një punëtor i thjeshtë, i cili ka më shumë dinjitet se kjo skuadër… (me gjithë respektin!).