Merremi gjithë kohën me Superioren, sepse ka material plot, për mirë e për keq, për Abazajt me shokë dhe për Blerim Zirat me shokë.
Dje pamë një arbitrim të tmerrshëm në Lushnja-Partizani, nga një arbitër që në ndeshjen e fundit në Superiore kishte bërë sulmuesin për Teutën, duke i dhënë fitoren në Gjirokastër nëntorin e shkuar.
Megjithatë, Blerim Ziri është “trim i mirë me shokë shumë”, sepse në Kavajë dje u luajt një finale mbijetese mes Besës e Vllaznisë B dhe arbitri i ndeshjes Kreshnik Cjapi u bë si Kristiano Ronaldo, duke shpikur golin e parë të ndeshjes, me një penallti tragjikomike, kur sulmuesi vendas Onu hidhet në zonë një orë më vonesë pas ndërhyrjes së portierit Vjerdha, i cili nuk e preku fare.
Duhej të fitonte Besa, sepse ashtu janë bërë llogaritë me kohë, ndaj edhe Besa javën e shkuar luajti me të rinjtë në transfertë.
Kjo është Kategoria e Parë, një fëlliqësirë e vërtetë, ku sheh ndeshje të trukuara për baste si Apolonia-Turbina, sheh hapje porte si Naftëtari-Shënkolli, sheh kllounë që në kohën e lirë bëjnë arbitrin, sheh gjithçka…
Poshtë Superiores duhej të gjenin hapësirë për t’u rritur talentet, si bën Apolonia, ndërsa gëlon injoranca, pabesia, marrëveshjet e pista, shitja për 200 euro: të gjitha me bekimin e FSHF-së, kujtoni Rambot e Këlcyrës në Përmet dhe estradat e përjavshme në çdo nivel.