Një tronditje ka ardhur në familjen e Emiljano Vilës, teksa babai i lojtarit ka ndërruar jetë në mbrëmjen e djeshme. Fillimisht ishte Teuta që njoftoi fatkeqësinë e ndodhur, për t’iu gjendur pranë pjesëtarit të skuadrës në këto momente të vështira. Gjithashtu edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i ka shprehur mesazhin e ngushëllimit Vilës për të treguar se nuk është vetëm për të kaluar momentin më të vështirë në jetë, pasi ka humbur njeriun më të dashur.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të babait të ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare, Emiljano Vila! Me këtë rast i përcjell Emiljanos dhe familjes së tij në emrin tim dhe në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit e Kombëtares shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Në këtë moment të vështirë i gjendemi pranë Emiljanos dhe familjes së tij. U prehtë në paqe!”, – shkruan në mesazhin e tij Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. /Sport Ekspres/