Robert Levandovski kërkon të transferohet tek Reali i Madridit. Mediet spanjolle kanë pikasur agjentin e lojtarit në kryeqytetin spanjoll
Lajmi bombë nga e përditshmja madrilene “Marca”, sipas së cilës agjenti i sulmuesit polak Sezari Kuharski po negocion me presidentin e Realit të Madridit Florentino Perez për një transfertë të mundshme gjatë merkatos së verës. Kontrata aktuale e polakut me Bajernin e Mynihut mbaron në vitin 2021, por Levandovski beson se drejtuesit e bavarezëve mund të joshen nga një ofertë e majme e madrilenëve. Forma e dobët e francezit Karim Benzema është cilësuar si një ndër faktorët kryesorë të krizës që ka mbërthyer ekipin mbretëror muajt e fundit dhe kjo ka detyruar presidentin Perez të hidhet në treg për një sulmues të ri. Polaku i Bajernit shihet si lojtari perfekt për të rregulluar problemet e Realit në aspektin e golave. Pengesa kryesore për këtë trasfertë është mungesa e sulmuesve të tjerë të aftë për të zëvendësuar Levan. Statistikat e sulmuesit polak me ekipin bavarez janë të frikshme: Levandovski ka shënuar 135 gola në 175 takime, ndërsa po zhvillon një sezon të mahnitshëm, me 26 gola të shënuar në 32 takime.
Rekordi – Rekordi i radhës që rrezikon të thyhet nga polaku është ai i golave të shënuar gjatë ndeshjeve radhazi në Mynih. Fakti më interesant për këtë rekord është se rekordmbajtësi i tanishëm është askush tjetër përveç trajnerit aktual të Bajernit Jup Hajnkes, i cili ka shënuar në 11 ndeshje radhazi si pritës gjatë sezonit 1972/73, teksa luante për ekipin e Gladbahut. Levandovski ka shënuar 10 gola radhazi si pritës dhe nëse arrin të shënoj në ndeshjen e ardhshme ndaj Shalkes ai do të barazojë rekordin 45-vjeçar të Hajnkesit. Trajneri i Bajernit nuk e la pa komentuar këtë çështje. “ Kam në plan të mos ta aktivizoj Levandovskin në sfidën kundër Shalkes. Nuk mund ta lejoj të më thyejë rekordin që e mbaj prej kaq shumë vitesh… Bëj shaka. Levandovski do të jetë në fushë dhe uroj që të shënojë sa më shumë gola” – tha trajneri 72-vjeçar me shaka.