Sevilja e nisi vitin me trajner të ri, Vinçenco Montelën, dhe fitorja në kupë para pak ditësh krijoi përshtypjen se kriza mori fund, por sot në derbi ish-trajneri i Milanit mori disa shuplaka të rënda. Triumfoi Betisi 5-3, brenda në “Ramon Sançez Pizjuan”, me një manita historike, në një ndeshje me emocione pa fund. Për herë të parë në histori Betisi i shënon 5 gola Seviljes në një ndeshje kampionati.
Tetë shënues të ndryshëm, në një ndeshje ku Betisi shënoi që në sekondën e 22-të me Ruiz. Ben Jeder barazoi në minutën e 13-të dhe Fedal ktheu sërish në avantazh Betisin 8 minuta më vonë. Simon Kjarer barazoi për Seviljen në fundin e pjesës së parë, por mbrojtja e Montelës ishte për turp. Tetovari Riza Durmishi shënoi në minutën e 63-të për Betisin, ndërsa dy minuta më pas Leon shënoi edhe golin e katërt. Lenglet në minutën e 67-të riktheu në lojë Seviljen, por vetëm kaq, sepse në shtesë Tejo shënoi edhe golin e pestë për Betisin.