Presidenti, tifoz personal i SuperPipos, ka gati ofertën e pasur ekonomike por edhe lirshmëri në zgjedhje për të hapur një cikël. Trajneri i dyzuar, ka frikën e një tjetër dështimi si te Milani
Anton Cicani
“Nëse do të kërkoja një fjalë që zëvendëson “muzikën”, mund të mendoja vetëm për Venecian”. Shumë pak mund të imagjinonin atë që kalonte në mendjen e thellë të filozofisë së shprehur nga Frederik Niçe, por thëniet e tij edhe në ditët e sotme janë ndër më të pëlqyerat. Një mesazh shpesh universal, por edhe realist… Ndoshta presidenti i federatës shqiptare, Armand Duka, filozofin gjerman e ka inat, ndoshta edhe s’ia ka lexuar vëllimet që ka shkruar, por e sigurt është që fjala “muzikë” do të zëvendësohej më së miri me panoramën që ofron qyteti i Venecias, gondolave apo sheshit “Shën Pjetro” e kështu me radhë. Aty ku uji është kryefjala e ditës dhe që konsiderohet vendi perfekt për të kaluar muajin e mjaltit…
Pikërisht në këtë qytet, që dikur quhej Venediku dhe ishte Mbretëresha e Venedikut, Shqipëria zhvillonte tregtinë, në vitet 1200-1300, sipas dokumenteve antike. Ishte koha kur pikërisht tregtia detare ishte më e përhapura. Dhe, pak rëndësi nëse në filmin e Skënderbeut është dalluar vetëm ana e errët dhe ndoshta kleptomane e Venedikut, sepse Vencia e sotme është një bukuri për sytë dhe një vend përrallor… Aq sa i madhi Uilliam Shekpsir do t’i dedikonte edhe një libër, duke e quajtur “Tregtari i Venedikut”, një nga komeditë më popullore të Shekspirit, që mendohet të jetë shkruar mes viteve 1596-1598. Bëhet fjalë për një fajdexhi, i cili arrinte që të dëmtonte ekonominë e qytetit të Venecias, pikërisht duke dhënë hua, ose fajde, pa asnjë interes…
Pikërisht aty, në Venecia, ku Armand Duka, kreu i futbollit shqiptar, thuajse më shumë se 5 shekuj më vonë, do të afrohet për të provuar të zëvendësojë jo më muzikën (siç thoshte edhe Niçe), por trajnerin e Shqipërisë, që vetëm dhjetë ditë më parë do të zyrtarizonte fundin e aventurës me stolin kuqezi… Zëvendësi i Xhani de Biazit duhet të jetë më shumë se një refren muzikor apo një peisazh i detit që jeton me qytetin e Venedikut (Venecian moderne). Pikërisht në një pjesë të tij, teksa thuajse 1 muaj e gjysmë më parë, Filipo Inzagi dhe Venecia e tij do të siguronin ngjitjen matematikore në Serinë B. Në atë festë të madhe, ai, SuperPipo, s’mund të mendonte se do të vinte momenti për të vendosur: Venecian ose Shqipërinë.
Dhe, në qytet ka ardhur oferta e atij, jo më fajdexhiut, por presidentit të FSHF-së, Armand Duka, që ashtu si subjekti në Operën e Shekspirit, do të përpiqet që të “prishë” ekonominë e Venecias, por këtë herë referuar klubit të futbollit. Në objektiv është ai, Filipo Inzagi, magjistari i sezonit të shkuar, që firmosi për vetëm 150 mijë euro në sezon, në Lega Pro, duke konfirmuar se paratë, për një si SuperPipo, që vetëm disa vjet më parë do të dërgonte Milanin në Olimp me dopietën e tij ndaj Liverpulit në finalen e Champions, në Athinë, nuk janë asgjë.
Premtimi – Por, ajo që ndal këtë tratativë me Shqipërinë dhe për të pasuar Xhani de Biazin, është premtimi i bërë nga SuperPipo, tifozëve venecianë: “Objektivi im është që të ngjis klubin në Serinë A, të shohim tashmë. Do të më duhet të ulem me presidentin dhe flas”. Në kategorinë e tretë, Venecia pati një skuadër tepër cilësore, teksa u shpenzuan 7 mln euro për të siguruar individualitete që bënë diferencën. E megjithatë, një premtim mund të ndryshojë, ose lëkundet, nëse nuk janë kushtet për të vijuar.
Kontrata – Thamë për kontratën, të cilën Inzagi e ka edhe për një vit, edhe pse presidenti Takopina është gati t’ia rinovojë, teksa pritet edhe rritje rroge deri në 300 mijë euro në sezon, që janë mjaftueshëm për Pipon, i cili të mos harrojmë në thuajse një sezon te Milani arkëtoi 1,5 mln euro. Takimi mes palëve duhet të zhvillohej pas 5 qershorit, në fakt, por ende asgjë në horizont. Edhe pse, ka kohë deri në grumbullim, që do të nisë në datën 5-6 korrik, për të përgatitur kështu sezonin vijues. Ndoshta, për këtë arsye edhe komunikata e federatës sqaronte pikërisht se korriku do të jetë muaji i zgjedhjes së post De Biazit.
Karta “Duka” – Duke iu kthyer historisë së “Tregtarit të Venedikut”, Duka ka bërë ofertën e tij dhe kontaktet vijojnë, sipas lajmeve të azhurnuara të “Sky” dhe ekspertit të merkatos, Xhanluka di Marcio. Edhe pse, nuk do të jetë asak e lehtë të bindet Inzagi, që po tentohet nga oferta e presidentit të federatës shqiptare, që i ka ofruar paratë që do të fitojë edhe te Venecia, por sidomos më shumë pushtet dhe bashkëpunim me moshat, pasi Pipo është i afeksionuar me të rinjtë. Në fakt, këtë figurë dëshironte t’ia linte edhe Tramexanit kur i bëri ofertë, përpara se të shkonte te Sioni. Madje, Inzagi mund të merrte me vete edhe bashkëpunëtorët e tij dhe do të zgjidhte drejtorin teknik dhe ndihmësin. Sigurisht, presidenti i FSHF-së s’i ka vënë ultimatum Inzagit, por megjithatë do të vlerësojë edhe figura të tjera të rëndësishme. Sa i përket rrogës, Duka do të mbërrinte deri në 350 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër do të ishte thjesht fryt i punës, pra bonuse të ndryshme, në sajë fitoresh apo objektivash.