Tregon se kur do të jetë gati stadiumi i Kukësit dhe Teutës, Dervishaj: As Realit dhe Totenhemit nuk ia bëri Federata stadiumin, ne po!

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Arber Dervishaj ishte i ftuar në “Sport Zone”. Tema kryesore e diskutimit ishte problemi i fushave në Shqipëri. Dervishaj është shprehur se çështje të tilla diskutohen edhe jashtë vendit tonë, ndërsa për investimet e FSHF kujton kontributin e dhënë në ndërtimin e stadiumeve.

“Ne kemi ndërhyrë në disa terrene. Jemi duke përfunduar stadiumin e Kukësit. Pritet këtë javë specialisti nga Greqia, për të dhënë dritën jeshile nëse është apo jo gati. Në fillim të shkurtit do të jetë gati. Ka një kapacitet prej 6 mijë e 500 vendesh. Është një impiant modern.

“Selman Stërmiasi” është i Tiranës dhe ne kemi programe ndihme për klubet. Tapeti aty ishte dëmtuar. Në kryeqytet kemi vetëm një stadium dhe i bie që e gjithë ngarkesa të shkonte në “Air Albania”. Prandaj menduam që “Selman Stërmasin”, ta rikonstruktojmë te pjesa e fushës. Ne po investojmë edhe te stadiumi i Partizanit. Natyrisht të gjitha duan kohën e tyre. Këto nuk janë projekte që nisin sot dhe mbyllen pas fushatës. Duke përjashtuar “Air Albania”, nga buxheti i FSHF janë investuar 40 milionë euro për stadiumet dhe fushat. “Air Albania” shkoi rreth 15 milionë euro.

Kemi vendosur të investojmë edhe në kompleksin e Dinamos në Pezë Helmes. Po investojmë në shumë fusha. Jemi nga të paktat federata, që ndihmojmë klubet me stadiumet. Nuk ia bëri federata Realit stadiumin, apo Tottenham. Edhe stadiumi i Kukësit edhe ai i Teutës, do të hapin dyert në fillim të muajit shkurt. Partizani ka bërë një investim serioz për stadiumin”, tha Dervishaj. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *