Tregohet edhe datat e fundit për të filluar futbollin në Shqipëri, Libohova: Ndryshe do të ishte e pamundur, nesër takim tjetër

Nga Klaudio Ndreca

Edvin Libohova, zëvendës-presidenti i FSHF-së, ka treguar gjendjen e fundit të futbollit shqiptar me situatën e pandemisë. Një tjetër takim do të zhvillohet në ditën e nesërme me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetsisë, duke shpresuar se prej aty do të vijë edhe një datë për nisjen e stërvitjes.

Në fjalët e Libohovës mund të veçohet fakti se në skenarin më të keq, kemi datën 31 maj që duhet të nis kampionati në Shqipëri, ose ndryshe është i pamundur që të zhvillohet. Gjithashtu është hedhur poshtë për “Fan Zone” shtimi i Superiores me 12 ekipe, pasi duhet që të zyrtarizohet dhe vendimi të merret 1 vit përpara.

“Një takim në nivel teknik kemi pasur me Ministrinë ku pala tjetër kishte shqyrtuar protokollin e Federatës dhe kishte disa pyetje për të tjera sqarime. Protokolli ka ditë që është pranuar, por mund të ketë ende situata që duhen sqaruar. Komiteti Teknik ka vazhduar përgjatë fundjavës me punën dhe nesër pritet një tjetër takim. Nesër pritet të kemi një hap pozitiv. Sa i përket tamponëve, ka dy sygjerime. Sipas teknikëve që kishim përballë, nuk është e nevojshme që t’i bëhet tamponi çdo lojtari, vetëm nëse ai ka shenja.

Skenari i fundit nga Federata dhe pika më e keqe është 31 maj. Prandaj ne duhet ta fillojmë sa më shpejtë me stërvitjet, duhet të dalin datat. Ne nuk duam që ta mbyllim kampionatin në tavolinë, por nëse është e pamundur të zhvillohet, atëherë nuk varet në dorën tonë. Kemi edhe ligjin e sportit, ligjin e sponsorizimeve më saktësisht që ende nuk ka kaluar. E prisnim që në qershor, kapi fundin e vitit dhe pastaj u miratua vetëm pjesërisht. Klubet e ligës duhet të kenë buxhetin e tyre dhe të dalin të pavarura. Sepse ne e pamë te situata e KOVID që ekipet dolën keq dhe e gjetën mbështetjen vetëm te Federata. Superiorja me 12 ekipe? Duhet që vendimi të merret 1 vit përpara dhe vendoset nga Komiteti Ekzekutiv, e kemi diskutuar shumë herë këtë”, tha Libohova. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *