Festimi i Diego Simeones në golin e parë të Himenez kundër Juventusit në Champions ka shkaktuar polemika të shumta. Trajneri i Atletikos njihet për pasionin e madh dhe gjakun e tij të nxehtë, por ai theksoi pas ndeshjes se ai ishte vetëm një festim tij dhe nuk kishte asnjë qëllim tjetër.
Megjithatë, UEFA mund të vendosë ta dënojë trajnerin argjentinas. Simeone mund të dënohet nga prova televizive, me gjestin e tij që përcaktohet si “sjellje e pamenduar”. Një gjë e tillë do pengonte trajnerin të ulej në stol në sfidën e kthimit kundër Juventusit në Torino.
Nga ana tjetër UEFA mund të vendosë të nisë një hetim për veprimin e “El Cholo-s”. Një inspektor do të niste hetimin dhe Simeone mund të rrezikonte të dënohej më gjatë. Skenari i tretë “fal” Simeonen. UEFA mund të vendosë të mos marrë asnjë masë, duke marrë për bazë karakterin e nxehtë të tij dhe duke e cilësuar veprimin e trajnerit të ekipit “colchoneros” si një festim personal dhe aspak ofendues.
Emra si Konte dhe Murinjo kanë festuar më parë në një mënyrë të ekzagjeruar, por ja kanë hedhur paq dhe nuk janë dënuar. Të njëjtën gjë shpresojnë dhe tifozët e Atletikos, të cilët duan ta shohin në stol Diegon në sfidën e kthimit, që zhvillohet me datë 12 mars.