Tre muaj pa rroga, probleme te Skënderbeu

0

Korçarët po vuajnë në fushë çështjen e pagave, ndaj dhe titulli po vonon. Nuk janë likuiduar për muajt shkurt, mars dhe prill, ndaj disa titullarë nuk kanë angazhimin e duhur

Blerim Jahaj

Skënderbeu e ka të thuajse sigurt titullin kampion, por u bënë dy ndeshje që po humbet dhe zyrtarizimi po vonon. Duket se ka diçka që nuk shkon dhe vërtet ka diçka që nuk shkon: ekipi nuk është paguar për tre muajt e fundit. Kjo është edhe arsyeja që futbollistët nuk kanë impenjimin e duhur në fushë gjatë ndeshjeve të fundit. Burime pranë ekipit korçar bëjnë me dije për Sport Ekspres se ajo paraqitje në fushë në dy ndeshjet e fundit vjen ngaqë lojtarët kanë tre muaj pa u paguar. Konkretisht, ata nuk janë likuiduar me rrogat e muajve shkurt, mars dhe prill. Disa lojtarë në fakt e kanë pranuar hapur këtë fakt dhe lajmi është shpërndarë me shpejtësi.

ÇËSHTJA Rrogat e tri muajve të fundit nuk kanë kaluar ende në llogaritë bankare të lojtarëve dhe kjo është një çështje që zien në ambientet e klubit bardhekuq. Ndaj dhe situata ka ardhur në këtë pikë, që Skënderbeut të mos jetë ai i zakonshmi në fushë gjatë dy ndeshjeve të fundit të kampionatit, kur është mundur 0-1 në shtëpi nga Kukësi dhe 3-2 në Laç. Madje, në ndeshjen e fundit Skënderbeu kryesonte 0-2 dhe më pas pësoi 3 gola. Një pjesë e titullarëve u pa qartë se nuk kishin dëshirë ta bënin më të mirën. Mund të jetë një formë presioni në adresë të drejtuesve të klubit? Sigurisht që kjo nuk është zgjidhja e duhur, por edhe lojtarët kanë të drejtën e tyre në lidhje me rrogat mujore.

VONESAT – Çfarë do të ndodhë, nëse rrogat nuk shlyen edhe gjatë këtyre ditëve? Skënderbeu pritet ta fitojë titullin, nuk ka dyshim, por nëse çështja nuk merr një zgjidhje, atëherë ekipi do të vazhdojë të ketë probleme në fushë. Të mërkurën luan në fushën e Lushnjës, një ndeshje që mund të konsiderohet e lehtë në letër, por nëse lojtarët nuk janë të qetë mendërisht, do të vazhdojnë ta reflektojnë problematikën e tyre edhe në fushë. Në fakt, duhet thënë se te Skënderbeu ka pasur gjithmonë vonesa në lidhje me likuidimin e rrogave për shkak procedurash, por nuk ka ndodhur asnjëherë që ndonjë rrogë të mbetet pa dhënë. Për këtë arsye, lojtarët e ekipit korçar mund të jenë të qetë, por kuptohet që vonesa ndikon. Brenda kësaj jave do të luhen dy ndeshje, me Lushnjën dhe Teutën, që me shumë mundësi do të mjaftojnë për të siguruar matematikisht titullin, por për lojtarët do të ishte mirë që të flinin mendjen sa u takon pagave të tre muajve të fundit. Presidenti Ardjan Takaj i ka përmbushur gjithmonë detyrimet e tij financiare, pavarësisht vonesave. Askush te Skënderbeu deri sot nuk ka mbetur pa u likuiduar, që do të thotë se korrektësia në klubin korçar është, por ajo që duhet rregulluar ka të bëjë me kohën.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.