Të hënën Kamza nis përgatitjet për sezonin e ri, me dilemën më të madhe për tu zgjidhur që mbetet ajo e stolit. Edhe pse dukej se marrëveshja ishte mbyllur, italiani Pietro Vierkvud nuk do të jetë në krye të skuadrës. Kjo edhe sepse projekti te Kamza ka shumë të panjohura, prej faktit se ekipi ka vetëm tre lojtarë nën kontratë, elementët kryesorë janë larguar dhe grupi është praktikisht për tu ribërë nga e para.
Në situatën aktuale, drejtuesit e klubit po mendojnë për zgjidhjen brenda vendit dhe alternativat nuk mungojnë. Një takim i orëve të fundit ëhstë zhvilluar me Bledar Devollin, që e njeh ambientin ku punoi në sezonin 2016-2017, por u shkarkua nga detyra në fund të muajit mars, pas barazimit me Shën Kollin, edhe pse me të në krye ekipi kryesonte prej fillimit të sezonit dhe kishte regjistruar 12 fitore në 12 javë.
Drejtuesit e Kamzës kanë kontaktuar edhe Gentian Mezanin, trajnerin që ndërtoi Laçin e surprizave dhe me lojtarë të rinj arriti ti siguronte kurbinasve një vend në Europa League dhe finalen e Kupës së Shqipërisë. Një tjetër alternativë cilësohet edhe Ernest Gjoka, ish-trajneri i Vllaznisë. Në këtë rast, në klubin nga periferia e kryeqytetit janë të gatshëm të harrojnë edhe duelin e fort të sezonit të kaluar, kur me Gjokën ishin rivalë në garën e ashpër për mbijetesë. Me ekipin që duhet ribërë nga e para, e ardhmja ka më tepër rëndësi.