Trashi si mbrojtës i majtë, a do të funksionojë lëvizja?

Mesfushori u kthye në mbrojtje në ndeshjen kundër Kamzës. Ai nuk e bën për herë të parë mbrojtësin e majtë, por duhet parë nëse do të ketë sukses kjo lëvizje

E dini se kush është një nga frazat më monotone dhe të pavërteta në futboll? Janë ato kur futbollistët shprehen se pranojnë të sakrifikojnë për ekipin duke luajtur në çdo rol që i jep trajneri. Nuk e bëjnë me dëshirë, por janë të detyruar. Për ta vendosur pak në paralelizëm, ishte Sebino Plaku që i dha përgjigjen e vërtetë kësaj pyetje pas ndeshjes së humbur me Partizanin. “Po e vuaj largësinë nga porta dhe ndryshimin e pozicionit, por duhet të sakrifikoj për skuadrën”, – ishin fjalët e kapitenit të Kamzës.
Trashi luajti 90-minuta si mbrojtës i majtë në ndeshjen kundër Kamzës. Ai u preferua para Blerim Kotobellit në atë pozicion, pasi Renaldo Kalari ishte i dëmtuar. Eksperimenti funksionoi, pasi fitorja mbyll çdo problem, por si do të jetë vazhdimësia?

EKSPERIMENTI ME TRASHIN – Ta quash eksperiment pozicionimin e Trashit në krahun e majtë të mbrojtjes lë shije të keqe te stafi teknik i Partizanit. Arsyeja? E thjeshtë, 25-vjeçari ka luajtur edhe më parë në një pozicion të tillë. Ai është përdorur më parë nga trajneri Sulejman Starova në të njëjtin vend. Gramshioti mund të sakrifikohet sërish duke parë mbipopullimin që kanë të kuqtë në krahët e sulmit dhe të fiksohet si mbrojtës i majtë. Kjo vendosje është e rrezikshme për të kuqtë, pasi fitojnë në aspektin ofensiv duke qenë se Trashi ka tipare sulmuese, por humbasin mbrapa, pasi në aspektin defensiv nuk ofron shumë siguri.

Sezonin e kaluar nën drejtimin e Starovës, Trashi u vendos disa herë si mbrojtës i majtë, por u ndryshua shpejt, pasi në përballjet me ekipet e mëdha çalonte. Partizani sulmohej vetëm në atë pozicion, ndërsa në përballjet me ekipet më pak të rrezikshme, rasti konkret me Kamzën, vendosja e Trashit ndihmon ekipin përpara. Megjithatë, edhe me ekipin e Kamzës, goli erdhi nga krahu i majtë, pasi Idrizaj u la i lirë për të krosuar drejt zonës. Bast i rrezikshëm, por të shohim nëse Starova do ta vazhdojë këtë strategji edhe me rikthimin e Kalarit në formë.

“DETYRIMI” – Një lëvizje e tillë është e detyruar edhe nga “moria” e sulmuesve të krahut që ka Partizani. Starova nuk mund të ulë Trashin në stol, por vështirë ta preferojë para Lukasit në krahun e majtë të sulmit, pas përformancës që pati ky i fundit në ndeshjen kundër Kamzës. Asani fitoi “imunitet” me dy golashin e tij, por se si do ta zgjidhë Strova këtë çështje, një Zot e di! Konkurrenca të bën mirë…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *