Transferimi jashtë vendit, idhulli dhe shakatarët kuqezi: Bulku tregon sekretet

Ervin Bulku ka folur gjerë e gjatë për karrierën e tij si futbollist, ndërkohë që dëshiron të jetë po aq i suksesshëm edhe si drejtues. Aktualisht ish-mesfushori është pjesë e stafit të Kristian Panuçit në kombëtare. Në emisionin “Adrenalinë”InTV ai foli për transferimin jashtë vendit, kombëtaren, momentin më të bukur në karrierë, idhullin e tij dhe Superioren.

TRANSFERIMI JASHTË VENDIT – “Patjetër ka qenë i vështirë, sepse kohërat ishin të tjera. Nuk është si sot që lojtarët kanë menaxherë që po punojnë që futbollistët shqiptarë t’i çojnë në ekipe dhe kampionate më të forta. Unë ika në Ukrainë dhe qëndrova një muaj në fazë përgatitore. Kjo ndodhi deri në momentin që trajneri dhe drejtuesit vendosën që të bëhem pjesë e skuadrës së Krivbas”.

MOMENTI MË I BUKUR I KARRIERËS – “Ka shumë momente, por më kulminanti ka qenë ai kur kemi shkuar me kombëtaren në Francë 2016. Ai është kulmi për një futbollist. Nuk arritje më të madhe se ajo për një lojtar”.

TRAJNERI MË I MIRË – “Është e vështirë t’i ndaj, me të gjithë kam pasur dhe vazhdoj të ruaj marrëdhënie të mira. Komunikoj me ta gjithë kohës”.

MOMENTI I HIDHUR – “Për çdo lojtar moment i keq është atëherë kur për një kohë të gjatë nuk je në fushën e lojës, Ndonjë dëmtim i gjatë, por unë fatmirësisht nuk kam pasur shkëputje të gjata. Kam qëndruar jashtë për periudha 2-3 javore. Kam pasur ndonjë tërheqje dhe jo probleme me ndonjë ligament të gjurit, që është fatal dhe të lë 6 muaj ose më gjatë jashtë”.

ME KË MERRESHA VESH MË SHUMË – “Nuk them dot vetëm një. Kam luajtur shumë gjatë me ekipin kombëtar dhe duket sikur i diferencoj. Aty kuptohemi të gjithë, pasi japim maksimumin. Probleme me ndonjë lojtar? Jo, asnjëherë”.

LOJTARI MË SHAKAXHI – “Salihi, Osmani dhe Bogdani, kur unë isha pjesë e skuadrës”.

KOMBËTARJA E PANUÇIT DHE E DE BIAZIT – “Për Panuçin është akoma herët që të flasim, pasi këtë periudhë ai ka njohur lojtarët dhe tani e ka një ide të qartë. Mendoj se kur ishte De Biazi shumica e lojtarëve kanë qenë në formë shumë të mirë dhe aktivizoheshin nëpër skuadrat e tyre. U bashkuan shumë gjëra që të arrinim atë sukses. Pa diskutim që trajneri dhe të gjithë patën ndikimin e vet atë sukses. Nëse në mars lojtarët do të jenë në formë, mund të ecim mirë”.

ROLI NË FUSHË – “Shumicën e kohës kam luajtur mesfushor, ndaj ai është pozicioni që më pëlqente më shumë. Mbrojtës i djathtë ose qendërmbrojtës jam aktivizuar kur ka pasur nevojë trajneri”.

SUPERIORJA – “Mendoj se kampionati shqiptar vjen në rritje, pasi edhe terrenet, edhe stadiumet nuk janë më si përpara. Kur përmirësohen kushtet, mendoj se edhe niveli rritet. Titulli? Është ende herët për të folur, por mendoj se do të jetë një kampionat shumë i fortë. Do jetë ndryshe nga vitet e mëparshme, kur Skënderbeu apo Tirana shkëputeshin shumë. Këtë kampionat do ketë konkurrencë deri në fund”.

PENGU DHE IDHULLI – “Çdo lojtar dëshiron të arrijë majat, por si një lojtar shqiptar mendoj se jam i kënaqur me atë çka kam arritur. Normale është që çdo njeri do sa më shumë. Idhulli? Në të shkuarën ka qenë Marko Van Basten”.

ÇMENDURITË NË GRUMBULLIME – “Nëse kam arritur deri këtu në karrierë, ka qenë prej disiplinës. E kam zbatuar me përpikmëri, ndaj edhe kam pasur një karrierë të gjatë. Nëse mban regjim dhe stërvitesh mirë, edhe ke pak dëmtime siç thashë më parë”.

MESAZHI – “Të gjithë ata fëmijë, të rinj, që mundohen dhe japin maksimumin, stërviten çdo ditë dhe sakrifikojnë, një ditë do shpërblehen për atë mund dhe djersë që do derdhin”

E ARDHMJA – “Nuk mund të bësh plane, nuk diskutohet që afër futbollit. Shpresoj të kem të njëjtin sukses edhe tani, sikurse gjatë kohës që kam luajtur futboll”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *