Transferimet nga Serbia largojnë sponsorin, “Gaboheni, janë myslimanë”

Ballkani ka bërë disa lëvizje në merkato, teksa i fundit ishte mesfushori fierak Ledion Muçaj. Më parë ka firmosur edhe ish-lojtari i Teutës, Tarik Çmajçanin. Gjithashtu Demir Avdiç i është bashkuar skuadrës së IPKO Superliga e Kosovës. Ndërkohë lajmi që i ka habitur të gjithë është largimi i një sponsori të klubit, për shkak të lojtarëve të përmendur më lart, pasi ata kanë lindur në Novi Pazar dhe kanë pasaporta serbe.

“Të nderuar, Me vendim të bordit të “PIKA GROUP” SH.P.K. ju njoftojmë që nga dita e sotme “PIKA GROUP” SH.P.K. ndërprenë aktivitetin e sponzorimit me Ujë Pika për FC Ballkani. Kjo si rezultat:

-Kontraktimi i dy lojtarëve me nënshtetësi serbe (duke marrë parasysh gjenocidin dhe dëmet e shtetit serb për shqiptarët gjatë kohës së luftës në theks të veçantë masakra e familjes Berisha)

-Neglizhimi i talenteve vendorë”, shkruhet në deklaratën e publikuar në mediat dardane.

REAGIMI I BALLKANIT – “Klubi futbollistik “Ballkani”, në vazhdën e përforcimeve dhe komponimit të skuadrës, gjatë afatit kalimtar të janarit ka bërë disa ndryshime në ekip. Ashtu edhe siç ju kemi informuar me kohë në faqen zyrtare të klubit, deri më tani kemi transferuar 7 futbollistë duke përforcuar të gjitha repartet, dhe duke plotësuar kërkesat Shtabit teknik.

Sa i përket disa trumpetimeve të orkestruara nga persona të caktuar, se kinse kemi transferuar futbollistë serbë, kjo NUK është e vërtetë. Këta 2 futbollistë janë mysliman (boshnjak), por fati i tyre që jetojnë në Novi Pazar.

Siç e dini, që të gjitha klubet sportive në Kosovë, qoftë në futboll, basketboll, etj, në mesin e tyre kanë lojtarë nga Bosnja, Mali i zi, Maqedonia. Dhe ne jemi njëri ndër këto klube. Ndërsa sa i përket lojtarëve që tani kemi transferuar, asnjëri nuk është serb. Dhe sipas kësaj logjike të disave, i bie që edhe futbollisti i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti të jetë serb, vetëm se vjen nga viset e Luginës së Preshevës, apo cilido futbollist që ka lindur në viset shqiptare, që dihet se padrejtësisht aktualisht janë nën administrimin e Serbisë”, shkruhet në qëndrimin e klubit të Ballkanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *