“Është hera e parë që më ndodh në karrierë që të merrem gjithë javën sesi duhet të mbrohemi nga Xhixha dhe ky lojtar të më shënojë 3 gola”, do të shprehej pak kohë më parë Vukicevic pas ndeshjes me Tiranën. Ky është realiteti i bardhebluve dhe kundërshtarëve të tyre në këtë sezon.
Të gjithë mendojnë se Xhixha është rreziku i vetëm që mund t’u kanoset. Nëse ai nuk shënon, Tirana nuk fiton. Ky ishte ligji i pashkruar deri pak javë më parë, por me kalimin e kohëve, edhe elementet e tjerë janë rritur dukshëm. Kjo u pa fare mirë me Kukësin që arriti ta neutralizonte mirë Xhixhën. Asnjë gol i realizuar prej tij dhe në dy rastet që shënojë, linja e mbrojtjes e nxori në pozicion jashtë loje.
Te verilindorët kishin punuar mirë për të evituar këtë rrezik të Tiranës, ndryshe nga skemat e Laçit. Por për çfarë vlen e gjitha kjo kur shënuan katër lojtarë të tjerë? Në fund të fundit, ky takim do të jetë shembulli më i mirë për rivalët e tjerë të Tiranës që të kuptojnë se kampionët e Superiores nuk janë vetëm…Xhixha. /Sport Ekspres/