Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në një konferencë për shtyp në Francë. Laval, i cili merr pjesë në kategorinë e tretë në Francë, kishte humbur ndeshjen në transfertë përballë Bolonzh. Trajneri i Lavalit, Françis Çokolini, ka patur shkaqet e tij dhe ndoshta e ka ndjerë më shumë se herët e tjera këtë humbje dhe në konferencën për shtyp mbas ndeshjes, ai ka shpërthyer.
Një gazetar e ka pyetur Çokolinin rreth zgjedhjeve të tij taktike dhe ky i fundit nuk ka duruar më. “Ta plas kokën për dysheme. E kam çfarë më duhet dhe të godas në kokë.”
Gazetari bëri denoncim në polici, madje reagoi dhe shoqata e gazetarëve francezë. “Asgjë nuk justifikon një agresivitet të tillë nga një njeri që supozohet të mishërojë një klub historik të futbollit francez dhe të japë një shembull për lojtarët dhe edukatorët”, u shpreh shoqata e gazetarëve.
Klubi i Lavalit reagoi duke bërë gjysëm-fajtor edhe gazetarin. Pyetja ishte jashtë “kornizës së protokollit” të përcaktuar nga federata franceze e futbollit, sipas Lavalit.
Së fundmi ka ardhur edhe pendimi i vetë trajnerit. Ky i fundit i ka kërkuar ndjesë gazetarit për fjalët e rënda, por ai nuk mund t’i shpëtojë dënimit të Këshillit Kombëtar të Etikës së Federatës Franceze të Futbollit, që i ka konsideruar komentet si të një natyre kërcënuese dhe agresive.