Juventusi nuk ka ndërmend të ndalet dhe kërkon të përforcojë akoma edhe më shumë ekipin në fund të sezonit. Gjatë ditës së djeshme mediat italiane zbuluan lajmin që Juventusi po mendon të rikthejë Antonio Konten në stol. Alegri do të largohet në fund të sezonit me shumë mundësi dhe Konte është një nga tre alternativat kryesore.
Dy të tjerët janë Zinedin Zidan dhe Pep Guardiola, ndërsa trajneri italian mund të vijë me Andrea Pirlon si ndihmës. Ish-mesfushori është gati të nisë aventurën e trajnerit dhe mënyra më e mirë është që ta nisë si zëvendës.
Siç raportojnë mediat italiane, Konte do t’i rikthehet skemës së tij të preferuar me tre mbrojtës. Drejtuesit po kërkojnë një emër për t’ia shtuar dyshes Kielini-Bonuçi dhe e kanë gjetur atë. Flasim për Matijs De Ligt, kapitenin dhe “yllin” e Ajaksit.
Juventusi nuk do ta ketë aspak të lehtë për të siguruar shërbimet e 19-vjeçarit të talentuar, pasi ka shumë oferta në drejtim të tij. Paratë nuk janë problem për klubin italian dhe drjetuesit do të bëjnë maksimumin për të transferuar De Ligt në Torino dhe për t’iu dhuruar një mbrojtës të madh Kontes e Pirlos, apo çdokujt që do të jetë në stolin e ekipi torinez.
Dy objektivat e tjerë të mëdha të Juventusit mbeten Federiko Kieza dhe Pol Pogba. Për të parin Fiorentina kërkon të paktën 80 milionë euro, ndërsa francezi nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t’u rikthyer në Torino. Ai dhe De Ligt kanë të njëjtin menaxher, Mino Rajolën, me të cilin Juventusi do të tentojë akordin e dyfishtë.