Trajneri kampion i Superiores, Martini: Nuk e doja “fotofinishin” me Vllazninë në fund, nuk na vuri poshtë askush

Edi Martini është trajneri fitues i Superiores me ekipin e Teutës. Tekniku i durrsakëve fitoi kampionatin më të rivalizuar të viteve të fundit për të përmbyllur suksesin në atë triumf që u arrit në shifrat 6-1 kundër Apolonisë. Në prononcimin e dhënë për “RTSH Sport”, Martini është shprehur se nuk e dëshironte fotofinishin me Vllazninë.

“Është gjithçka e bukur. E vetmja gjë që nuk do doja në këtë fund kampionati është ‘fotofinishi’ me Vllazninë, por ky është sporti, ky është futbolli. Ajo që na ka dhënë sukses mendoj se është njohja e ekipit në detaje. Nga ndeshja e parë në të fundit e kemi njohur shumë mirë veten se sa kapacitet kemi. Jemi përkushtuar çdo ditë në stërvitje. Kemi bërë lojën tonë, modelin e lojës tonë, duke mos i lejuar ekipet e tjera të bëjnë lojën e tyre. I kemi njohur shumë mirë forcat tona, kjo ka qenë arma kryesore që kemi dalë kampion.

Dyshime? Jo nuk kam patur. Po të shikojmë rezultatet që kemi arrit, asnjë skuadër nuk na ka vënë për poshtë. Kemi barazuar dy herë me Vllazninë në ndeshje direkte, kemi barazuar tri herë me Partizanin, me Tiranën e Kukësin kemi rezultate pozitive. E vetmja humbje është me Partizanin këtu, ndërsa në tri ndeshjet e tjera kemi dominuar. Në barazimet që kemi marrë, kemi bërë lojë shumë të mirë, por fati nuk ka qënë me ne. Me përjashtim të ndeshjes me Vllazninë në Shkodër, ku jemi paraqitur keq, në asnjë ndeshje tjetër kundërshtari nuk na ka vënë për poshtë”, u shpreh Martini. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *