Trajneri i Southampton ka folur pas ndeshjes së barazuar kundër Leeds në transfertë me shifrat 1-1. Goli i parë i Leeds do të vinte pas një rasti të diskutueshëm. Armando Broja nisi shpejtësinë e madhe dhe ishte gati t’i rrëmbente topin mbrojtësit kundërshtar, por në fund është rrëzuar në tokë. Sulmuesi shqiptar ka kërkuar faull dhe karton, por në atë aksion është lejuar vazhdimi dhe nga krahu tjetër do të shënonte Leeds.
Ndërkohë Hasenhutl është shprehur se kjo mënyrë është e vetmja sesi po ndalet Broja. “Broja është i shpejtë dhe kur vendoset me topin para mbrojtësit, e vetmja mundësi për ta ndaluar është me trup dhe më pas i takon arbitrit të vendosë nëse është faull apo jo. Ai tha jo, ne nuk mund të ankohemi, duhet të mbrohemi. Kjo është ajo që ne nuk bëmë në këtë moment dhe më pas pësuam një gol”, tha Hasenhutl. /Sport Ekspres/