Trajneri i ri Sakaj: Ndiej keqardhje për Elbasanin, sot dua ta mund

Vlonjati ka nisur karrierën si trajner në krye të Orikumit, që synon ngjitjen në të Parën. Përballë verdhebluve një ndeshje e veçantë për ish-mbrojtësin e djathtë

Erjon Saliu

Në Vlorë, sidomos në radhët e Flamurtarit të dy dekadave të fundit, nuk ka se si të mos ketë rënë në sy futbollisti Artan Sakaj, fjalëpak e punëshumë. Ka fituar trofe, por edhe ka luajtur në Evropë, teksa karriera e Sakajt me shumë vite eksperiencë dhe e spikatur do të mbahet mend nga të gjithë. Një futbollist me një “CV” të pasur, ku krahas Flamurtarit, ka “shtegtuar” duke provuar të luajë edhe me Elbasanin, Besën e Teutën në nivele të larta. Pa harruar edhe një kontribut jo të vogël me ekipin Shpresa U-21, ndërsa fundin e karrierës ia dedikoi Flamurtarit “mëmë”. Më pas, pasi kreu kurset respektive, Sakaj nisi karrierën e trajnerit dhe për fat drejton një ekip jo shumë larg Vlorës, por që në Kategorinë e Dytë, sidomos në vitet e fundit po lë mbresa. Orikumi, një “Flamurtar B”, me shumë lojtarë nga Vlora, kryesisht nga moshat e Flamurtarit dhe që këtë edicion ka synime madhore. Madje, sot e pret Elbasani, ish-skuadra ku ka kontribuar dhe ka luajtur në Evropë në sezonin 2008-2009. Në intervistën e tij enkas për “Sport Ekspres”, Artan Sakaj, flet për karrierën si futbollist te Flamurtari dhe jo vetëm, si dhe dëshirën për ta ngjitur Orikumin në të Parën, çka do të ishte me të vërtetë historike.

Sakaj, pas një karriere të gjatë në futbollin e luajtur, nisni atë si trajner, me Orikumin. Pse e bëtë këtë zgjedhje?

  • Po, oferta e drejtuesve dhe ambiciet që ata kishin, natyrisht duke shtuar edhe dëshirën time për të punuar në një ekip të parë, bëri që të merrja drejtimin e skuadrës së Orikumit.

Si lojtar jeni mësuar që të luani në skuadra me emër dhe që kanë luftuar për trofe. Ndoshta edhe synimet madhore që ka Orikumi ju bindën?

  • Është e vërtetë që unë kam luajtur me skuadra me traditë në vendin tonë, kam fituar trofe, kam luajtur në Europë dhe titullar në Superiore. Të them të drejtën më pëlqeu klima në Orikum, ka shumë vlonjatë dhe unë e njoh si skuadër. Më pëlqen dëshira me të cilën punohet në këtë klub.

Sezonin e shkuar Orikumi i shkoi shumë afër Kategorisë së Parë dhe sërish këtë sezon tenton ngjitjen. Sa e vështirë është për ju si trajner?

  • Nuk është e vështirë, me punë arrihet gjithçka. Unë i kam marrë parasysh objektivat e klubit, por ama mua si trajner më intereson ndeshja e radhës. Duhet që të fitojmë çdo ndeshje që kemi përpara. Për ne janë të gjitha ndeshjet si finale.

Finalen më të afërt e keni me Elbasanin, ku ju edhe keni luajtur. Si po e përgatisni këtë takim?

  • Të them të drejtën kam luajtur dhe kam kaluar shumë mirë në Elbasan. Kam luajtur kur skuadra ka marrë pjesë në Kupat e Evropës. Më vjen keq që ndodhet në këto pozita, por jam trajner i Orikumit dhe dua që të fitoj skuadra ime. Ne po përgatitemi për këtë ndeshje dhe po e vlerësojmë siç duhet, për të marrë maksimumin si në çdo duel tjetër.

Grupi ku ju bëni pjesë ka shumë rivalitet, madje Orikumi në javët e para ka pasur edhe luhatje. Me ardhjen tuaj në stol është përmirësuar dukshëm dhe ka vetëm fitore. Cili është çelësi i suksesit?

  • Nuk kam asnjë çelës suksesi. Unë vetëm punoj bashkë me djemtë, që janë shumë të mire, pasi pjesa më e madhe kanë luajtur edhe me moshat e Flamurtarit. Të gjithë bashkë, vetëm me punë kam besim se do t’ia dalim. Sa i përket rivalitetit, të them të drejtën është bërë një ndarje ndoshta jo reale dhe kanë ndërruar pak ekipet. Megjithatë, ne do shohim punën tonë duke i bërë hyzmetin çdo ndeshje.

Shumë vlonjatë, madje shok skuadre të brezit tuaj te Flamurtari i sheh që të drejtojnë Apoloninë, Bylisin apo dhe moshat kuqezi. Pse zgjodhët Orikumin?

  • E thash edhe më sipër, sepse ka një grup shumë të mirë lojtarësh. Pastaj, mua më bën ofertën dhe më vlerësuan. Unë kam ardhur këtu dhe ndihem si në Vlorë. Orikumi është pjesë e Vlorës. Jemi të gjithë bashkë për të mirën e futbollit në Orikum. Pastaj karrierës nuk i dihet.

Më e vështirë në fushë si lojtar, apo në stol si trajner?

  • Të dyja janë shumë gjëra të ndryshme, por të dhurojnë emocione. Unë kam pasur një karrierë të gjatë si lojtar, ndërsa si trajner sapo kam nisur. Ndoshta është pak herët që të bëj një krahasim të tillë momentalisht.

“Kampionati ka rivalitet, por vuan për fusha”

“Në Grupin ku bëjmë pjesë ka ekipe të forta, madje edhe qytetet me traditë. Por, ka edhe disa ekipe që nuk kanë fusha dhe mendoj se cilësia është rritur në skuadrat e futbollit, në mënyrën si menaxhohen. Por, disa fusha janë shumë problem. Orikumi ka një infrastrukturë mjaft të mirë, si për ndeshjet zyrtare ashtu edhe për stërvitje, madje në këtë aspekt jeni shumë në disavantazh edhe me disa ekipe rivalet tona”.

“Flamurtari? Dua ta shoh sa më lart”

Kur e pyet për Flamurtarin, Sakaj e ka përgjigjen në maj të gjuhës. Madje, i qetë për natyrën që e karakterizon dhe me “këmbë në tokë”, lidhur me ecurinë e skuadrës “mëmë” në kampionat thotë: “Flamurtari po ecën mirë dhe i uroj suksese. Ka një ekip shumë të mirë dhe këtë po e tregon edhe loja që po zhvillon. Uroj që ta shoh sa më lartë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *