Trajneri i ri i Legias së Varshavës do të jetë Marek Golebiewski. Ky është emri i ri që do të drejtojë gjigandët polak, të cilët ndodhen në vendet e fundit të renditjes pas shumë rezultatesh negative që arritën me Michniewicz. Para se të largohej, trajneri i Legias do të dënonte katër futbollistë që zgjodhi t’i dërgonte në tribunë, mes të cilëve dy ishin shqiptarë. Mediat zbuluan se Lirim Kastrati shkonte në disko dhe shijonte alkolin në Varshavë, shumë larg profesionalizmit si futbollist, ndërsa Celhaka nuk pranoi që të shkonte në ekipin e dytë. Kjo acaroi Michniewicz që i dërgoi në tribunë për ndeshjen me Piast.
Ndërkohë pas ardhjes së trajnerit të ri, Golebiewski ka premtuar se nuk do të ketë asnjë hatërmbetje me lojtarët e dënuar dhe për ta do ketë një fillim nga zero. “Lista është e pastër për të gjithë, nuk do të ketë vazhdime të dënimeve nga koha e shkuar. Unë kam ëndërruar që të drejtoj ekipin e parë të Legias, thjesht nuk e prisja që të ndodhte kaq shpesh. Është njësoj si të shkosh në një disko dhe një vajzë shumë e bukur të kërkon të kërcesh më të, besoj se nuk refuzohet apo jo? Por dua të them se unë jam mjeshtër i edukimit fizik, nuk jam zjarrfikës”, tha Golebieëski duke lënë të nënkuptohet se nuk mund të pritet mrekullia që në javët e para. /Sport Ekspres/