Po përflitet gjithmonë e më shumë mundësia që në kombëtaren shqiptare të rikthehet një trajner shqiptar. Paneli i të ftuarve në emisionit “Kampionët” në “Vizion Plus” diskutoi mbi këtë temë. Gazetari Lirim Zalla dhe ish-futbollistët Ermal Tahiri e Ylli Shehu ishin pro emërimit të një trajneri shqiptar, ndërsa Klevis Dalipi ishte kundër.
ZALLA: “Unë them që ka ardhur dita dhe momenti për të pasur trajner shqiptar. Kam qenë me veprimet e presidentit deri përpara Panuçit, pas De Biazit duhet që kombëtarja ta kishte trajnerin shqiptar Kam qenë dakord për trajnerët e huaj pasi në Shqipëri të rrethojnë. Të rrethon komshiu, të afërmi njerëzit për të bërë seleksionimin jo normal. Mirëpo tani kanë ndryshuar kohërat dhe ka ardhur momenti për të provuar një trajner shqiptar”.
SHEHU: “Ishte një periudhë që u fol se duhet të vinte një huaj, pasi flitej se te shqiptarët kishte shumë ndërhyrje. Nëse trajnerët shqiptar i kanë pasur ndërhyrjet nga brenda, këta të huajt i kanë nga jashtë, nga menaxherët etj.
TAHIRI: “Mendimi im është që ka ardhur koha për një trajner shqiptar. Duhet t’u japim besimin. Këtu më pas është roli i presidentit që ka në dorë vendimin”.
DALIPI: “Unë jam i mendimit për një trajner të huaj. Është e vërtetë që mund të ketë ndërhyrje nga jashtë e brenda, por një trajneri i huaj kur vjen në Shqipëri vjen me shumë pak njohje nga faktori brendshëm. Çdo trajner ka ato rregulluat e veta që mund ta çojnë drejt suksesit. Një trajner shqiptar është paksa më i thyeshëm në këtë aspekt. Mendoj se akoma nuk e kemi mentalitetin për të mbajtur një trajner shqiptar në kombëtare”.