Një tragjedi ka prekur botën e çiklizmit. Xhimi Dukuenoi ka humbur jetën në moshën 23-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Çiklisti belg i skuderisë “WB – Aqua Protect-Veranclassic” ka qenë në shtëpinë e tij, kur ka humbur jetën në mënyrë të befasishme gjatë mbrëmjes të së premtes.
Lajmi është dhënë nga skuderia e tij gjatë ditës së sotme, që ka shkruar një komunikatë ku shpreh ngushëllimet e saj për vdekjen e Dukuenoit. “E gjithë skuadra i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Xhimit dhe të dashurve të tij. U prehsh në paqe.”
Dukuenoi e nisi karrierën e tij me ekipin e “Color-Code-Aquality Protect”, ndërsa në vitin 2016 kaloi në kategorinë e çiklistëve profesionistë. Të mërkurën kishte marrë pjesë në xhiron e Munsterit në Gjermani, por pa arritur të mbyllë garën, ndërsa të premtën humbi jetën në moshë shumë të re.