Zyrtari i Partizanit, bisedime në Maltë për të marrë drejtimin e një skuadre. Në Tiranë nuk dinë asgjë. Italiani mund të largohet ose mund të luajë me dy porta
Moxhi po, Moxhi jo, Moxhi ndoshta!
Italiani ka zbritur nga froni dhe nuk është më i paprekshëm te skuadra e Partizanit. 80-vjeçari ka marrë edhe kritikat e tij nga presidenti Gaz Demi për afrimin e futbollistëve të gabuar, pa harruar edhe trajnerin Mark Juliano. Megjithatë, për këto afrime i pari që do të paguajë faturën është Drejtori Sportiv Antonelo Preiti, një hap larg largimit nga të kuqtë.
Prezenca e “big” Luçianos te skuadra e Partizanit, nuk është më si më herët, premtimet e tij për ndërtimin e një klubi model dhe afrimit të lojtarëve shumë cilësorë, duket se nuk bindin më. Arsyeja? E thjesht, janë të përsëritura, pasi fjalë të tilla u dëgjuan edhe në verë. Në fund, u bë një vrimë në ujë!
Megjithatë, burime të sigurta pranë “Sport Ekspres”, bëjnë me dije se Moxhi nuk ka qëndruar në heshtje dhe ka lëvizur në aspektin personal. Ai po mendon të futet në një tjetër projekt, ku të jetë vetë zot, e vetë shkop, jo se nuk ishte te Partizani.
MALTA – Zyrtari i kuq është një person që lëviz shumë, për çështje personale, por destinacioni i tij i preferuar së fundmi ka qenë Malta. I sigurt është fakti se italiani nuk ka shkuar për pushime, edhe pse mikroshteti është një vend mjaft tërheqës. Në fakt, 80-vjeçari ka shkuar për punë. Ai është parë disa herë brenda pak javësh në shtetin e Maltës. Burime të besueshme të “Sport Ekspres” bëjnë me dije se italiani ka biseduar me një klub maltez, me të njëjtën logjikë si mori Partizanin. Moxhi mund të marrë përsipër drejtimin e klubit dhe ringritjen e tij. Marrëveshja mes palëve ende nuk është mbyllur, dhe mbase nuk do të mbyllet kurrë, por bisedime reale ka dhe mundësitë nuk mungojnë që të konkretizohet gjithçka me sukses.
PARTIZANI – A janë në dijeni në klubin e kuq? Jo. “Sport Ekspres” zbulon se asnjë nga drejtuesit duke filluar nga presidenti Gaz Demi, por edhe deri te punëtorët më të thjeshtë të administratës nuk e dinë. Ata me shumë mundësi janë duke e lexuar sot për herë të parë këtë mundësi. A mund të quhet si tradhti, diçka e tillë? Edhe po, edhe jo.
Kur u prezantua nga Partizani, Moxhi u shpreh se ishte këtu për të ndihmuar presidentin Demi dhe të japë këshillat e tij. Ai nuk do të ishte pjesë e rrogave, por në fakt emri i tij figuron frikshëm në borderon e klubit të kuq.
MUNDËSIA E LARGIMIT – Moxhi mund të largohet nga Partizani. Kjo është një fjali që nuk tremb askënd më, për të mos thënë se disa mund të kryqëzojnë gishtat me shpresën që të ndodhë. Në fakt, as Moxhi nuk është i sigurt për qëndrimin e tij. Të njëjtat burime tregojnë për gazetën, se 80-vjeçari u është shprehur disa prej miqve të tij se edhe mund të largohet përfundimisht nga Shqipëria duke i dhënë fund aventurës në kryeqytet.
DREJTORI RAMA – Afrimi i Olsi Ramës si Drejtor i Përgjithshëm mbase mund të jetë një tjetër arsye e “largimit” të Moxhit. Në fakt, diçka e tillë nuk është e vërtetë, pasi të dy kanë marrëdhënie të mira. Rama dhe Moxhi nuk kanë përplasje dhe as konflikte me njëri-tjetrin.
Eraldo Harlicaj