Luftë brenda llojit, Kukësi nuk gjen qetësi

Plas te klubi kampion, trajneri kundër drejtorit teknik. Gjici nuk mban qëndrim të prerë, ndërsa turfullon ndaj gazetarëve

Kaos te Kukësi. Jo për shkak të rezultateve negative, as për probleme financiare, që janë zakonisht dy arsyet që futin në tunel klubet shqiptare. Këtë radhë bëhet fjalë për diçka të rrallë, ose më saktë diçka që rrallë del në dritë: luftë brenda klubit, trajneri Mlladen Milinkoviç kundër drejtorit Naim Halili. Zanafilla e luftës nuk kuptohet qartë,por fakt është që dy personazhet e rëndësishëm të Kukësit tashmë janë armiq të betuar. Ndërkaq, media është nën shënjestër, për publikimin e debateve në mbledhjet e Kukësit. Por çfarë ka ndodhur realisht?

HUMBJA NË KORÇË – Me siguri kriza mes Milinkoviçit dhe Halilit nuk ka nisur në Korçë, është më e hershme, por për herë të parë pas humbjes kundër Skënderbeut u pa në publik hendeku mes tyre dhe lufta që ka shpërthyer. Pas ndeshjes kundër Skënderbeut, fundjavën e shkuar, gazetari i Sport Ekspres në Korçë raportonte se pjesëtarë të stafit drejtues të Kukësit kanë shpërthyer me këto fjalë: “Ky vetëm trajner nuk është. I patë edhe ndërrimet, e patë lojën e ekipin kur luajtëm me një lojtar më shumë? Duhet të largohet dhe kemi besim se presidenti Safet Gjici do t’i vendosë pikat mbi “i” këtë herë, pasi vetëm ky trajner nuk duhet të jetë më në krye të Kukësit, sepse po na rrëzon poshtë e më poshtë.” Ndoshta gjithçka kishte të bënte me ndërrimet e Koldashit dhe Jotit, ose ndoshta ishte edhe një pretekst për të goditur trajnerin serb. Një ndër personat më të irrituar me Milinkoviçin ishte Halili, i cili tashmë ka dalë hapur.

MBLEDHJA E SË DIELËS – të gjithë në raport para presidentit Safet Gjici. Ndryshe nga sa pritej, presidenti u tërhoqi vëmendjen lojtarëve, i paralajmëroi për gjoba nëse nuk vjen kthesa, por nuk mori asnjë masë ndaj trajnerit, duke e konfirmuar në stol. Kjo ishte përmbledhja e asaj që ndodhi në mbledhje, me Gjicin që gjëmonte: “Dua tre fitore ose nuk ka paga”. Nuk kanë munguar as replikat e disa prej futbollistëve. Në një moment të caktuar një nga futbollistët i ka thënë presidentit se skuadra nuk është e kompletuar. Lojtari i ka thënë presidentit që duhet skuadra, për të qenë pretendente. Një fjali shumë e shkurtër që ka gjetur mbështetjen e një pjese të madhe të futbollistëve. Nuk i ka pëlqyer aspak presidentit diçka e tillë, pasi ai gjithnjë ka deklaruar se ka një skuadër më të mirë se edicionin e shkuar, por rezultate nuk po i japin të drejtë. Pas më shumë se 2 orësh lojtarët janë lënë të lirë, por situata nuk duket aspak e mirë.

PUBLIKIMI I MBLEDHJES – “Sport Ekspres” publikoi pjesën e mësipërme, me ultimatumin, debatin dhe konfirmimin e trajnerit, por ndërkohë kolegët e “Panorama Sport” publikuan të plotë debatin e mbledhjes, duke cituar në ligjëratë të drejtë atë që është thënë në mbledhje, përfshirë fjalë ofenduese të Halilit ndaj trajnerit Milinkoviç, të tipit “i pacipë, i paaftë”.

KËRCËNIMI – Publikimi i plotë i gjithë debatit në mbledhje, që në fakt nuk është hera e parë që ndodh, ka tërbuar presidentin Gjici, i cili dje për Top Channel deklaroi se do ta padisë gazetën për shpifje. Të njëjtën gjë tha edhe Milinkoviç, i cili ka paralajmëruar padi për shpifje, duke mohuar që Halili t’i jetë drejtuar me fjalë të tilla. Gjithsesi, ajo që të bën përshtypje është se Gjici edhe herë tjetër ka dalë me deklarata të tilla të forta, por në realitet asnjëherë nuk e ka pasur seriozisht, duke e ditur fare mirë që gazetarëve informacioni, ndoshta edhe me audio, u shkon nga zyrat e Kukësit, ndoshta edhe nga personat më të afërt të Gjicit, i cili nuk e ka vënë “ujin në zjarr”.

LUFTA VAZHDON – Në realitet, kërcënimet për mediat janë thjesht fasadë, për të fshehur realitetin te Kukësi. Drejtori/menaxheri i klubit Naim Halili është tashmë në luftë të hapur me trajnerin Milinkoviç dhe deklaron se mund të qëndrojë larg skuadrës deri në largimin e trajnerit serb. Kush ka të drejtë? Nuk i intereson askujt, por duhet t’i interesojë Gjicit, i cili ka një “patate të nxehtë” në dorë dhe në gjendjen aktuale e ardhmja e Kukësit duket vritet e zymtë. Imagjinoni merkaton e janarit: Halili do të afrojë lojtarë, apo Milinkoviç? Kush do të vendosë veten cili lojtar vlen?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online