“Totenhemi më e rëndësishmja? Ndeshjet me Skënderbeun ishin të veçanta“, rrëfimi i Ditës: Ekipet e mëdha të godasin me një mundësi

Lojtarët e Shkëndijës patën mundësinë të luanin një nga ato ndeshje që vijnë rrallë në karrierë. Megjithëse kishin përballë yje që luajnë në nivelet më të larta të futbollit europian, kuqezinjtë e Tetovës bënë një paraqitje dinjitoze përballë Totenhemit të Murinjos. Bruno Dita rrëfen ndjesinë dhe vështirësinë e të pasurit përballë futbollistë të kalibrit të skuadrës londineze në një intervistë për gazetaren Klevisa Alinani në “Fax Sport“.

Mesfushori shqiptar tregon se ky ishte maksimumi i ekipit të tij në fushë, ndërsa shton se ekipet e mëdha dinë të të godasin me mundësinë e vetme që i jep. Por pavarësisht yjeve dhe emrit të madh që Totenhemi ka, për Bruno Ditën kjo nuk ishte ndeshja më e rëndësishme në karrierën e tij, pasi do të veçonte përballjet me Skënderbeun në grupet e Europa League.

“Ishte emocion i bukur dhe e vështirë shumë të përballeshe me ata lojtarë aq të mirë që ka Totenhemi. Mendoj se e përballuam mirë dhe u përballëm denjësisht kundër atyre yjeve që ka Totenhemi. Emocionet ishin të mira. Mendoj se ndikuan pak në fillimin e lojës, ku e nisëm mbrapa dhe pësuam atë gol.

Barazimi normale që ishte e vështirë të mbahej. Ekipet e mëdha këtë kanë, një mundësi t’i japësh dhe të godasin. Ne gabuam që te goli i parë dhe te goli i dytë në vendosje. Ishte e vështirë, por të gjithë lojtarët dhanë maksimumin dhe aq sa bëmë ishte maksimumi i të gjithëve. Nuk ndeshje perfekte, por besoj ishte një ndeshje e mirë dhe dinjitoze përballë Totenhemit.

A ishte ndeshja më e rëndësishme? Më e rëndësishme nuk do të thoja. Mbase me lojtarë më yje në ekip po, por nuk mendoj se ishte më e rëndësishmja. Ndeshjet e Europa League-s me Skënderbeun kanë qenë më të veçanta. Është tjetër emocion kur je në grupet e Europa League-s dhe kur je në kualifikuese. Ishte ndeshje taman për t’u shijuar kjo me Totenhemin dhe besoj se do ta mbaj mend gjatë. Nuk munda të bëja dot foto me Murinjon. Tajneri Gjoka na përgëzoi për lojën që bëmë dhe na tha se ishte krenar që na stërviste.

Objektivi i Shkëndijës është që çdo vit të dali kampion. Jemi në rrugën e mbarë dhe jemi në vendin e parë, shpresoj që ta mbajmë deri në fund. Objektivi personal është që të paraqitem mirë çdo ndeshje, të bëj maksimumin për ekipin dhe pse jo në të ardhmen në një kampionat tjetër“, ka deklaruar Bruno Dita./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *